Trajnerja e xhudos Majlinda Kelmendi ka ndarë ndjenjat e saj në lidhje me humbjen e Distria Krasniqi në garën për medaljen e artë në Lojërat Olimpike. Kelmendi tha se humbja e Krasniqi e ka befasuar atë, duke shkaktuar emocione të forta për shkak të besimit se Krasniqi do të fitonte. Megjithatë, ajo vlerësoi medaljen e argjendtë si një arritje të madhe për Krasniqi dhe për Kosovën në përgjithësi.
“Realisht, në momentin kur humbi Distria në finale, më shkuan lotët sepse isha e sigurt që do ta fitonte. Kemi qenë në disa përgatitje këtë vit dhe Distria jo vetëm që e mposhti në stërvitje, por thjeshtë e dominonte dhe luante me të si macja me miun. Kështu që në momentin kur përfundoi garën, isha shumë e emocionuar, por një medalje është një medalje, dhe qëndrimi në podium është një sukses i madh për ne”, u shpreh Kelmendi.
Ajo gjithashtu theksoi se me medaljet dhe paraqitjet e mira në Lojërat Olimpike, Kosova po dëshmon potencialin e saj si një komb i fortë dhe i aftë për të konkurruar në nivel ndërkombëtar.
“Hera e tretë që Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike dhe për herë të tretë po fitojmë medalje. Kështu që po i dëshmojmë botës se kemi një rinovatë dhe vlera të mëdha si komb dhe popull. Është një kënaqësi të përfaqësojmë shtetin tonë dhe të shfaqim vlerat tona në arenën ndërkombëtare”, shtoi trajnerja e xhudos./UBTNews/