Artisti i njohur i Cirkut shqiptar, Tahir Baçova, ka ndërruar jetë sot në moshën 88-vjeçare. Lajmi është pritur me pikëllim të thellë nga komuniteti artistik dhe publiku shqiptar.
Tahir Baçova, një figurë emblematike në botën e cirkut, lindi në Tiranë më 23 korrik 1936. Karriera e tij artistike nisi në moshën 17-vjeçare dhe zgjati për më shumë se 65 vjet. Edhe pasi doli në pension, pasioni i tij për zbutjen e kafshëve dhe për transformimin e këtij arti në një formë argëtimi për të gjitha grupmoshat nuk u shua kurrë.
Baçova e filloi karrierën e tij në Cirkun Amator dhe më pas vazhdoi si profesionist në Cirkun e Tiranës, i njohur sot si Cirku Kombëtar. Ai është i njohur për përkushtimin e tij të palodhur në krijimin e një profili unik të zbutësit të kafshëve, duke kontribuar në zhvillimin e këtij arti në Shqipëri.
Në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Sanie Baçova, e cila ishte gjithashtu një artiste e njohur në këtë fushë, Tahir Baçova ka ndihmuar në krijimin e një tradite të pasur në zbutjen e kafshëve në cirk. Sanie Baçova ishte e para dhe e vetmja artiste grua në këtë profil në Cirkun shqiptar.
Në përpjekjet e tij të vazhdueshme, Baçova arriti të kthejë kafshët në pjesë të pandashme të shfaqjeve të cirkut, duke i integruar ato në ndërveprime emocionuese me akrobatët dhe publikun. Ai e bëri të pamundurën të mundur, duke i dhënë jetës cirkut një dimension të ri dhe të paharrueshëm.
Artisti i merituar, Tahir Baçova ia kushtoi jetën dhe pasionin e tij punës me kafshët për më shumë se 40 vjet. Me këmbëngulësinë e tij dhe dëshirën e paepur për të dhuruar art, ai ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme që do të kujtohet dhe nderohet për shumë vite.
Ndaj dhe ky ndërrim jete është një humbje e madhe për artin e cirkut dhe për të gjithë ata që e kanë pasur privilegjin ta njohin dhe ta vlerësojnë. Tahir Baçova do të mbetet gjithmonë një simbol i pasionit dhe profesionalizmit në Cirkun shqiptar./UBTNews/