Magdalena Andersson u zgjodh unanimisht të enjten si kryetare e re e Partisë Social Demokrate (SAP) të Suedisë, duke i hapur rrugën asaj për t’u bërë kryeministrja e parë femër në vend, përcjell UBT News.
Zgjedhja e saj në këtë pozicion vjen pesë muaj pasi kryeministri i SAP Stefan Lofven dha dorëheqjen pasi humbi një votë besimi në parlament. Ai u rivendos në korrik pasi siguroi një koalicion të ri, por papritur njoftoi në gusht se do të tërhiqej në nëntor.
Ekonomistja 54-vjeçare mund të bëhet kryeministrja e parë femër në historinë suedeze, me kusht që të fitojë një votë në parlament.
“Kam rënë dakord të bëhem kryetare e partisë sepse e di që Suedia mund të bëjë më mirë”, tha Andersson në një deklaratë.“Dhe sepse e di që jemi ne socialdemokratët që kemi zgjidhjet për problemet me të cilat përballet Suedia”, shtoi ajo.
Löfven, i cili është kryeministër, ende nuk ka bërë të ditur datën e saktë të dorëheqjes së tij, e cila duhet të shkaktojë procesin parlamentar të zgjedhjes së Andersson.
Për ta pasuar atë, Andersson do të duhet të sigurojë mbështetjen e të Gjelbërve – me të cilët SAP ka qenë në koalicione të shumta – si dhe nga Partia e Majtë dhe Partia e Qendrës, të cilat kishin aleanca besimi dhe furnizimi me qeverinë e Löfven.
Edhe pse shpallur kampione e barazisë gjinore, Suedia është vendi i fundit nordik që nuk ka pasur kurrë kryeministre femër.
Nëse ajo siguron postin kryesor të vendit, atëherë do t’i duhet të drejtojë partinë e saj në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, të planifikuara për në shtator 2022, pasi mbështetja për socialdemokratët ka rënë./UBTNews/