/ATSH-ANSA/ – Madonna ka njoftuar një marrëveshje “historike” me Warner Music Group, një partneritet global që përfshin të gjithë katalogun e saj muzikor të regjistruar më parë.
Marrëveshja, që paraqet mbretëreshën e popit në etiketën me të cilën debutoi në një moshë shumë të re, përfshin katalogun “Sire/Maverick/Warner, plus tre albumet më të fundit në studio (MDNA, Rebel Heart dhe Madame X), që u lëshuan nga Interscope Records, por që do të bashkohen me katalogun Warner në 2025.
Bëhet fjalë për gjithsej 17 albume në studio, si edhe single, regjistrime kolonash zanore, albume të drejtpërdrejta dhe përmbledhje.
“Që nga fillimi, Warner Music Group ka ndihmuar në paraqitjen e muzikës dhe vizionit tim për të gjithë fansat në të gjithë botën me kujdesin dhe konsideratën më të madhe. Ata kanë qenë partnerë të mahnitshëm dhe unë jam e kënaqur të filloj këtë kapitull të ri me ta për të festuar katalogun tim të 40 viteve të fundit ”, tha ylli i popit ndërsa njoftoi marrëveshjen.
Me mbi 300 milionë albume të shitur në të gjithë botën, shtatë Grammy dhe dhjetëra çmime të tjera muzikore, Madonna është këngëtarja femër më e suksesshme e të gjitha kohërave.
Sipas Guy Oseary nga Maverick, menaxheri i tij i vjetër, “partneriteti i ri do të sjellë në jetë atë që shumë fansa kanë pritur me durim: një kremtim të katalogut revolucionar të Madonna-s. Ne jemi duke punuar ngushtë me Warner Music Group për t’i dhënë frymë të re këtyre veprave ikonike”.