Pas më shumë se një dekade, opera e famshme “Madama Butterfly” e kompozitorit Giacomo Puccini do të rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit (TKOB). Ky rikthim do të jetë rezultat i një bashkëpunimi të veçantë mes “Festival Puccini di Torre di Lago” dhe Institutit Italian të Kulturës.
Produksioni i ri do të prezantojë një koncept të veçantë regjisorial nga Manu Lalli, i cili do të theksojë natyrën e gruas si qendër të vëmendjes. Nëpërmjet interpretimit të përsosur të solistëve dhe regjisë, opera do të shpalosë thellësinë e temave sociale që trajton, duke hedhur dritë mbi moralin e shoqërisë.
Libreti i shkruar nga Luigi Illica dhe Giuseppe Giacosa do të sjellë përpara audiencën sfidat dhe vuajtjet e një geisheje të re, 15-vjeçare, e cila mbetet besnike ndaj dashurisë së saj për një toger amerikan. Edhe pas kalimit të tre viteve nga largimi i tij, ajo refuzon të lërë pas jetën e saj dhe të harrojë dashurinë e zemrës së saj. Por ardhja e tij në Nagasaki për të marrë djalin e tyre 3-vjeçar shpie në një tragjedi të zymtë, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare.
“Madama Butterfly” do të paraqitet në skenën e TKOB në datat 26, 27, 28, 30 maj dhe 1 qershor. Ndërkohë, nën përgatitjen e provave regjisoriale, solistët e TKOB-së, së bashku me sopranon italiane Anna Pirozzi, e cila do të interpretojë rolin e Butterfly, po punojnë me regjisoren e njohur Manu Lalli dhe asistent regjisoren Ada Gurra. Ky bashkëpunim premtues dhe përkushtimi i artistëve prezanton një shfaqje të padiskutueshme për të dashuruarit e operas në Tiranë. /UBTNews/