UBT News

​Macron thotë se Franca do ta njohë Palestinën si shtet

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi sonte se vendi i tij do ta njohë Palestinën si shtet.

Në një deklaratë të postuar në rrjetin X, Macron tha se vendimi do të formalizohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në muajin shtator.

“Duke pasur parasysh angazhimin e saj historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca të njohë shtetin e Palestinës. Paqja është e mundur”, ka shkruar ai.

“Gjëja urgjente sot është që lufta në Gaza të ndalet dhe popullsia civile të shpëtohet”, thuhet në deklaratën e Macron, e cila përfshinte edhe një letër dërguar presidentit palestinez Mahmoud Abbas në lidhje me vendimin.

Aktualisht, mbi 140 vende njohin shtetin palestinez. Macron në qershor shprehu një vendosmëri për të njohur shtetin e Palestinës dhe mbështeti një lëvizje më të gjerë drejt një zgjidhjeje me dy shtete.

Exit mobile version