UBT News

LVV propozon Glauk Konjufcën për President të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar zyrtarisht se, pas dështimit për të arritur një marrëveshje me subjektet e tjera politike, do të propozojë Glauk Konjufcën si kandidat për President të Republikës.

Ky vendim vjen pas përpjekjeve të vazhdueshme të subjektit në pushtet për të gjetur një emër të përbashkët me opozitën, përpjekje të cilat, sipas LVV-së, nuk u pritën me propozime konkrete.

Në njoftimin e tyre, LVV thekson se opozita ka refuzuar ofertat me emra të caktuar, pavarësisht insistimit për pajtueshmëri. “Pavarësisht insistimit tonë, nga këto subjekte nuk morëm asnjë propozim konkret, ndërsa u refuzuan edhe ofertat tona me emra të caktuar”, thuhet në deklaratën e subjektit, duke shtuar se vendi ka njerëz të denjë për këtë pozitë dhe se zgjedhjet e reja në këtë fazë janë krejtësisht të panevojshme.

Përballë kësaj situate, LVV ka vendosur të kandidojë Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufcën, duke e cilësuar atë si njeriun e dytë më të votuar në historinë e vendit. LVV u ka bërë thirrje përsëri partive opozitare që të paraqesin kandidatët e tyre, madje duke ofruar edhe mbështetje me nënshkrime nga grupi i tyre parlamentar nëse është e nevojshme.

LVV shprehu bindjen se kjo krizë politike mund të tejkalohet pa pasur nevojë për votime të parakohshme. “Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara”, përfundon njoftimi i tyre drejtuar subjekteve politike dhe opinionit publik.

 

Exit mobile version