Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se institucionet kanë edhe dy javë kohë për të vendosur se si do të procedohet tutje me Ligjin për Gjykatën Speciale, duke kërkuar që fillimisht të zhvillohen konsultime me Bashkimin Evropian e më pas të raportohet në Kuvend.
Deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi, ka deklaruar për KOHËN se procesi nuk duhet të zhvillohet me nxitim, në mënyrë që të shmangen gabimet e mundshme që mund t’i kushtojnë vendit.
“I kemi edhe dy javë kohë. Nuk është mirë që përsëri të nxitohemi e përsëri të gabojmë e të pendohemi. Gabimet po na kushtojnë rëndë. Nuk ka mandej lexim të katërt!”, u shpreh Rrustemi.
Ai ka bërë thirrje që Grupi Punues për Strategji drejt Apelit në Gjykatën Speciale, i përbërë nga përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare dhe i udhëhequr nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, të takohet dhe të konsultohet me zyrtarët e BE-së. Sipas tij, pas këtyre konsultimeve grupi duhet të raportojë para deputetëve në Kuvend për të parë se ku mund të ndërhyhet me ndryshime. /KOHA/
