UBT News

LVV dërgon dekretin e Presidentes në Kushtetuese

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se sot është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesa e nënshkruar nga 30 deputetë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

Përmes kësaj lënde, deputetët kanë kërkuar zyrtarisht nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti deri në nxjerrjen e një aktgjykimi përfundimtar.

Sipas Nagavcit, Presidentja nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ apo për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e tij jashtë rrethanave kushtetuese.

“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit,” thuhet në njoftimin e bërë nga Nagavci.

Në argumentimin e dorëzuar në Gjykatë, theksohet se çdo veprim që tejkalon kufijtë e sanksionuar në Kushtetutë përbën cenim serioz të parimit të ndarjes së pushteteve.

Grupi Parlamentar i VV-së vlerëson se roli i Presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe nuk mund të ushtrohet jashtë kritereve të qarta ligjore. Nagavci ka thënë se në një shtet demokratik asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi aktin më të lartë juridik të vendit.

“Në një shtet demokratik, asnjë institucion dhe asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj. Përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara dëmtojnë rendin kushtetues,” ka theksuar ajo.

Në fund të njoftimit, Nagavci ka bërë thirrje që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë çështje me prioritet të lartë dhe të japë një vendim sa më të shpejtë.

 

Exit mobile version