Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për ta urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.
PZAP-ja e urdhëroi javën e kaluar komisionin zgjedhor ta certifikojë partinë më të madhe të serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar pak ditë pasi asaj iu mohua regjistrimi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.
Dy anëtarët e LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi ishin të vetmit që votuan kundër certifikimit të kësaj partie e që i kërkuan Gjykatës Supreme ta rrëzojë vendimin e PZAP-së.
Ky rast është pothuajse një përsëritje e rastit të zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit, kur LVV e kishte kundërshtuar deri në Supreme pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, por pa sukses.
Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe është kritikuar nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit.
Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.