“Lutje nënës sime” është një ndër poezitë më të bukura të poetit Pier Paolo Pasolini. Është një lutje prekëse drejtuar nënës për të jetuar sa më gjatë pasi autori, sikundër çdo fëmijë për nënën e tij, ka nevojë për të.
Fundi i poezisë, i cili përkon edhe me kulmin e saj, ka një përulje të autorit ndaj nënës së tij me vargun: “Të përulem, ah, të lutem; të mos duash të vdesësh”. Ky është ndoshta vargu më domethënës i gjithë poezisë, i cili nga njëra anë e tregon autorin disi egoist (autori i kërkon nënës së tij të mos vdesë, pasi ai ka nevojë për të), por nga ana tjetër shpreh dhe lutjen më të madhe të çdo fëmije për nënën (për tëdy prindërit) që të mos largohen kurrë nga kjo jetë, pasi janë baza më e fortë mbështetëse për këdo nga ne.
Lutje nënës sime
Është e vështirë të ta them me fjalë biri
Atë që në zemër paksa ndiej
Ti je e vetmja në botë që e di, për zemrën time
Atë që ka qenë gjithmonë
Përpara çdo dashurie tjetër.
Për këtë duhet të ta them atë
Që është e llahtarshme ta njohësh
Është brenda hirësisë sate që lind ankthi im.
Je e pazëvendësueshme. Për këtë është dënuar
Në vetmi jeta që më ke dhënë.
E nuk dua të jem vetëm. Kam një uri të pasosur dashurie.
Dashurie trupash pa shpirt,
Sepse shpirti është në ty, je ti, por ti je nëna ime.
Dhe dashuria jote është skllavëria ime.
Kam kaluar fëmijërinë skllav i këtij sensi
i lartë, i pazgjidhshëm, në një luftë të thellë.
Ishte e vetmja mënyrë për të ndjerë jetën
E vetmja ngjyrë, e vetmja formë; tani ka mbaruar.
Mbijetojmë dhe është konfuzioni
I një jete të lindur jashtë arsyes.
Të përulem, ah, të lutem; të mos duash të vdesësh
Jam këtu, i vetëm, me ty, në një prill të ardhshëm.