UBT News

Lutfi Dalipi vazhdon të shkëlqejë në futbollin zviceran

Pas paraqitjes mbresëlënëse ndaj Lausanne-Sport, futbollisti nga Presheva është përfshirë në formacionin më të mirë të javës në Superligën e Zvicrës.

Dalipi ishte ndër më të dalluarit në barazimin 2:2, ku arriti të realizojë edhe një gol. Për paraqitjen e tij, platforma “Sofascore” e vlerësoi me notën 8.9, duke e renditur në mesin e 11 futbollistëve më të mirë të javës.

23-vjeçari po kalon një sezon të shkëlqyer, me gjashtë gola të shënuar dhe nëntë asistime të dhuruara në elitën e futbollit zviceran.

Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re nga klubet e mëdha evropiane. RB Leipzig, Hoffenheim dhe Eintracht Frankfurt thuhet se janë të interesuara për shërbimet e tij dhe kanë nisur lëvizjet për ta transferuar gjatë afatit kalimtar të verës.

Ndërkohë, Dalipi, i cili së fundmi vendosi të përfaqësojë Kosovën, pritet të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda nga muaji mars, kur nisin ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2028”.

D.L

Exit mobile version