UBT News

Lukaku: Lojtarët më të njohur mund të formojnë një union për ta trajtuar racizmin në sport

Sulmuesi i Inter Milanit dhe i Belgjikës, Romelu Lukaku tha se yjet më të njohur të futbollit mund të formojnë një union për ta trajtuar racizmin në sport.

Në një intervistë për CNN, Lukaku tha se autoritetet nuk janë duke bërë mjaftueshëm për të mbrojtur lojtarët pas abuzimit me Vinicius Jr. përgjatë ndeshjes së Real Madridit kundër Valencias muajin e kaluar.

Lukaku, i cili ishte pre e abuzimit racist kur Inter Milan luajti kundër Juventusit gjatë muajit prill, tha se ai e ka vëzhguar situatën në stadiumin Mestalla të Valencias nga shtëpia e tij dhe se nuk po besonte se incidente të tilla ndodhin kaq shpesh.

“Mund të krijohet”, tha Lukaku kur u pyet nëse lojtarët mund ta formojnë një union.

Lukaku tha se ideja është që disa prej lojtarëve më eminentë të bashkohen dhe të flasin me UEFA-n dhe FIFA-n direkt, si dhe me organet drejtuese për ligat vendase, se si ta zgjidhin problemin e racizmit në ndeshje.

“Është vërtet shqetësuese që kjo ndodh sepse jemi në vitin 2023, bota ka kultura të ndryshme, religjione të ndryshme, njerëz me ngjyrë tjetër dhe ne ende bëjmë gabime nganjëherë”, shtoi Lukaku.

Lukaku gjithashtu bëri thirrje për më shumë diversitet në pozicionet e pushtetit në krye të futbollit./UBTNews/

Exit mobile version