Ajo që është e dukshme në financat ndërkombëtare sa i përket luftës në Ukrainë është ndikimi në çmimet e naftës dhe të gazit.
Për ekspertët pritet të kemi një krizë të fortë urie, nëse nuk merren masa sa i përket furnizimit me grurë dhe me plehëra kimike.
Ukraina dhe Rusia së bashku prodhojnë pothuajse një të tretën e grurit dhe elbit në botë dhe gjysmën e vajit të lulediellit. Ndërkohë, Rusia dhe aleati i saj Bjellorusia janë prodhuesit numër dy dhe tre në botë të potasit, një përbërës kyç i plehrave kimike.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara tha të martën se administrata Biden mbështet eksportet ruse të grurit dhe plehrave ruse për të ulur pasigurinë ushqimore që është në rritje në mbarë botën.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka inkurajuar që të rriten eksportet e grurit nga Ukraina për në Detin e Zi, si dhe që gruri dhe plehrat kimike ruse të kenë akses të pakufizuar në tregjet globale.
Nivelet globale të urisë janë në një nivel të ri, tha Guterres ndërsa u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të shmangin vendosjen e barrierave tregtare mbi produktet bujqësore, pasi lufta e Rusisë kundër Ukrainës rrezikon të nxisë më tej një krizë të mundshme globale ushqimore.
Palët ndërluftuese ndërkohë akuzojnë njëra – tjetrën dhe e kanë kthyer çështjen në politike. Ukraina ka thënë se Rusia po bllokon eksportin e 22 milionë tonëve drithëra për në Afrikë.
Në krahun tjetër, ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov, tha se Rusia garanton “eksportin falas të grurit ukrainas nga anijet që tani janë të mbyllura në portet e Ukrainës”, por së pari Ukraina duhet “të çminojë ujërat bregdetare në territorin e saj”.
Papa Francesku, reagoi gjithashtu duke kërkuar që të mos përdoret si armë lufte gruri që shërben për bukën e njerëzve.