UBT News

Lufta për mbijetesë: Afganët po shesin organet dhe fëmijët e tyre për të siguruar ushqim

Nga Imogen Anderson dhe Malik Mudassir BBC

Afganët po u japin fëmijëve të tyre të uritur ilaçe për t’i qetësuar – të tjerët kanë shitur vajzat apo kanë shitur organet e tyre për të mbijetuar. Në dimrin e dytë që kur talibanët morën pushtetin dhe fondet e huaja u ngrinë, miliona janë një hap larg urisë.

“Fëmijët tanë vazhdojnë të qajnë dhe ata nuk flenë. Ne nuk kemi ushqim” tha Abdul Wahab.

“Kështu që shkojmë në farmaci, marrim tableta dhe ua japim fëmijëve tanë që të ndihen të përgjumur”.

Ai jeton pak jashtë Heratit, në një vendbanim me mijëra shtëpi të vogla balte që është rritur gjatë dekadave, të mbushura me njerëz të zhvendosur dhe të goditur nga lufta dhe fatkeqësitë natyrore.

Abdul është mes një duzinë burrash që u mblodhën rreth nesh. Ne pyetëm, sa prej tyre u jepnin barna fëmijëve të tyre për t’i qetësuar?

“Shumë prej nesh, të gjithë ne”, u përgjigjën ata.

Të tjerë na treguan shirita me tableta escitalopram dhe sertraline që thanë se po ua jepnin fëmijëve të tyre. Ato zakonisht përshkruhen për të trajtuar depresionin dhe ankthin.

Mjekët thonë se kur u jepen fëmijëve të vegjël që nuk marrin ushqimin e duhur, ilaçe të tilla mund të shkaktojnë dëmtim të mëlçisë, së bashku me një sërë problemesh të tjera si lodhja kronike, gjumi dhe çrregullime të sjelljes.

Në një farmaci lokale, zbuluam se mund të blini pesë tableta të barnave që përdoren për 10 afganë (rreth 10 cent amerikan) ose çmimin e një copë buke.

Shumica e familjeve që takuam po ndanin disa copa bukë mes tyre çdo ditë. Një grua na tha se hanin bukë thatë në mëngjes dhe natën e prekin në ujë për ta lagur.

OKB-ja ka thënë se një “katastrofë” humanitare po ndodhë tani në Afganistan.

Shumica e burrave në zonën jashtë Heratit punojnë si punëtorë me pagë ditore. Ata kanë vite që bëjnë jetë të vështirë.

Por kur talibanët morën pushtetin gushtin e kaluar, pa asnjë njohje ndërkombëtare për qeverinë e re de-fakto, fondet e huaja u ngrinë, duke shkaktuar një kolaps ekonomik që i la burrat pa punë.

Në ditën e rrallë që ata gjejnë punë, ata fitojnë afërsisht 100 afganë, ose pak më shumë se 1 dollarë.

Kudo tani atje ka njerëz që detyroheshin të merrnin hapa ekstremë për të shpëtuar familjet e tyre nga uria.

Ammar (nuk është emri i tij i vërtetë) tha se ai kishte një operacion për të hequr veshkën e tij tre muaj më parë. Ai është në të njëzetat, në atë që duhet të ishte kulmi i jetës së tij.

“Nuk kishte rrugëdalje. Kisha dëgjuar se mund të shisje një veshkë në një spital lokal. Shkova atje dhe u thashë se doja. Disa javë më vonë mora një telefonatë që më kërkoi të shkoja në spital”, tha ai.

“Ata bënë disa analiza, më pas më injektuan diçka që më bëri të pavetëdijshëm. Isha i frikësuar por nuk kisha zgjidhje”.

Ammari u pagua rreth 270,000 afganë (3,100 dollarë) për këtë, ku shumica e të hollave shkuan për të shlyer paratë që ai kishte marrë hua për të blerë ushqim për familjen e tij.

“Nëse hamë një natë, nuk hamë tjetrën. Pas shitjes së veshkës, ndihem sikur jam gjysmë njeriu. Ndihem i pashpresë. Nëse jeta vazhdon kështu, ndjej se mund të vdes”, tha ai.

Shitja e organeve për para nuk është e padëgjuar në Afganistan. Dikur ndodhte edhe para pushtimit të talibanëve. Por tani, edhe pasi kanë bërë një zgjedhje kaq të dhimbshme, njerëzit po zbulojnë se ende nuk mund të gjejnë mjetet për të mbijetuar.

Në një shtëpi takuam një nënë të re e cila tha se shiti veshkën e saj shtatë muaj më parë. Ata gjithashtu duhej të paguanin borxhin – para që kishin marrë hua për të blerë një tufë delesh. Kafshët kanë ngordhur në një përmbytje disa vite më parë dhe tani ata kanë humbur mjetet për të siguruar jetesën.

240,000 afganët (2,700 dollarë) që ajo mori për veshkën nuk mjaftojnë.

“Tani po detyrohemi të shesim vajzën tonë dyvjeçare. Njerëzit nga të cilët kemi marrë hua na ngacmojnë çdo ditë duke na thënë na jep vajzën tënde nëse nuk na e kthen dot [borxhin]”, tha ajo.

“Ndihem shumë i turpëruar për situatën tonë. Ndonjëherë ndjej se është më mirë të vdes sesa të jetoj kështu”, tha bashkëshorti i saj.

Pa pushim, kemi dëgjuar për njerëz që shesin vajzat e tyre.

“Unë e shita vajzën time pesëvjeçare për 100,000 afganë”, tha Nizamuddin. Kjo është më pak se gjysma e asaj që kërkohet një veshkë.

Dinjiteti me të cilin jetonin njerëzit atje ishte thyer nga uria.

“Ne e kuptojmë se është kundër ligjeve islame dhe se po i vëmë jetën e fëmijëve tanë në rrezik, por nuk ka rrugë tjetër”, tha Abdul Ghafar, një nga krerët e komunitetit.

Në një shtëpi takuam Nazian katërvjeçare, një vajzë e vogël gazmore e cila bënte fytyra qesharake teksa luante me vëllain e saj 18 muajsh, Shamshullah.

“Ne nuk kemi para për të blerë ushqime, kështu që unë njoftova në xhaminë lokale se dua të shes vajzën time”, tha babai i saj Hazratullah.

Nazia është shitur për t’u martuar me një djalë nga një familje në provincën jugore të Kandaharit. Në 14, ajo do të largohet. Deri më tani Hazretullahi ka marrë dy pagesa për të.

“Unë e përdora pjesën më të madhe për të blerë ushqime dhe disa për ilaçe për djalin tim më të vogël. Shikojeni, ai është i kequshqyer”, tha Hazretullah.

Rritja marramendëse e normave të kequshqyerjes është dëshmi e ndikimit që uria tashmë ka te fëmijët nën moshën pesë vjeç në Afganistan.

Médecins Sans Frontières (MSF) ka parë që shkalla e pranimeve në objektet e tyre që trajtojnë kequshqyerjen në të gjithë vendin është rritur me 47% këtë vit krahasuar me të kaluarën.

Ne pyetëm Hameedullah Motawakil, zëdhënësin e qeverisë provinciale të Talibanëve në Herat, se çfarë po bënin për të luftuar urinë.

“Situata është rezultat i sanksioneve ndërkombëtare mbi Afganistanin dhe ngrirjes së aseteve afgane. Qeveria jonë po përpiqet të identifikojë sa prej tyre janë në nevojë. Shumë gënjejnë për kushtet e tyre sepse mendojnë se mund të marrin ndihmë”, tha ai.

Ai tha gjithashtu se talibanët po përpiqeshin të krijonin vende pune.“Ne po kërkojmë hapjen e minierave të mineralit të hekurit dhe një projekt gazsjellësi”.

Por kjo nuk ka gjasa që të ndodhë së shpejti.

Njerëzit na thanë se ndiheshin të braktisur nga qeveria talibane dhe komuniteti ndërkombëtar.

Uria është një vrasës i ngadaltë dhe i heshtur, efektet e saj nuk janë gjithmonë të dukshme menjëherë. Larg vëmendjes së botës, shkalla e krizës në Afganistan nuk mund të dalë kurrë në dritë, sepse askush nuk po bën sa duhet./UBTNews/

Exit mobile version