Lufta e Britney Spears për t’i dhënë fund kujdestarisë që ka kontrolluar jetën e saj do të kthehet në gjykatë të ditën e sotme, në një seancë që mund të ndryshojë totalisht çështjen.
Në një dëshmi të rrallë muajin e kaluar, këngëtarja tha se kujdestaria kishte qenë “abuzive” dhe për herë të parë bëri thirrje publike për përfundimin e marrëveshjes ligjore që i ka dhënë babait të saj dhe të tjerë njerëzve kontroll mbi jetën personale dhe karrierën e saj për 13 vjet.
Çfarë ndodhi më pas shkaktoi shumë trazira për cështjen që ishte mbajtur e fshehtë për vite me radhë: Avokati Britney-t i caktuar nga gjykata, Samuel D Ingham, kërkoi të japë dorëheqjen; firma e administrimit të pasurisë, Bessemer Trust, u tërheq nga mbikëqyrja e pasurisë; menaxheri prej një kohe të gjatë u tërhoq; babai i saj, Jamie Spears, i kërkoi gjykatës të hetojë pretendimet e këngëtares; avokatët e përfshirë në këtë çështje kanë debatuar ashpër në proceset gjyqësore.
I dyshimtë është fakti nëse Britney do të jetë në gjendje të punësojë një avokat. Ingham, avokati i saj, është përballur me një hetim të fortë pasi Spears tha në gjykatë se ajo nuk e dinte se mund të bënte kërkesë për të përfunduar kujdestarinë. Të dhënat kanë treguar se Spears për vite me radhë ka kundërshtuar kujdestarinë, por Ingham, i cili është paguar miliona nga pasuria e saj, nuk ka bërë kurrë kërkesë për t’i dhënë fund.
Ingham iu caktua nga gjykata kur u vendos për herë të parë në kujdestari në vitin 2008.
New York Times raporton se Spears ka qenë në kontakt me Mathew Rosengart, një avokat i Hollivudit dhe ish-prokuror federal i cili pritet të marrë pjesë në seancën dëgjimore këtë javë. Ekspertët thonë se nëse Britney arrin të punësojë një avokat, çështja mund të ndryshojë në favor të saj.
“Kjo sinjalizon se e gjithë gjëja më në fund po shkatërrohet. Për mua, është fillimi i vërtetë i fundit,” tha për Guardian Megan Radford, një aktiviste e vjetër e lëvizjes #FreeBritney.
Kevin Wu, një tjetër avokat, thotë se është optimist se “liria e saj po vjen së shpejti”. “Kjo është më e madhe se Britney. Ka shumë njerëz që janë nën kujdestari abuzive. Vëmendja për çështjen e saj shpresoj se do të sjellë drejtësi për shumë nga këta njerëz,” tha ai.
Unioni Amerikan i Lirive Civile dhe grupet e tjera të të drejtave të njeriut paraqitën një njoftim këtë javë në mbështetje të së drejtës së Britney-t për të punësuar avokatin e saj.