Nga Manuela Kasper-Claridge
Bora e njollosur me gjak rrethon Bakhmutin. Për muaj të tërë, trupat ruse janë përpjekur ta marrin këtë qytet të vogël në Ukrainën lindore. Rusët kanë sulmuar nga shumë drejtime. Ata u mbështetën nga mercenarët brutalë. Shtëpitë dhe rrugët janë bombarduar pa mëshirë, pa marrë parasysh viktimat civile.
Para se Rusia të niste agresionin në Ukrainë, rreth 70 mijë njerëz jetonin në Bakhmut. Edhe sa kanë mbetur, askush nuk e di sigurt. Por ata që kanë mbetur nuk heqin dorë. Trupat ukrainase vazhdojnë të luftojnë për lirinë e tyre. Ata nuk duan t’ia dorëzojnë Bakhmutin armikut.
Qyteti i vogël është simbol i rezistencës dhe guximit të Ukrainës, i lindur nga dëshpërimi.
Realiteti i jetës në qytetet e Ukrainës
Ajo çka po ndodhë në Bakhmut na shqetëson të gjithëve. Ne nuk mund të mbyllim sytë ndaj asaj që po ndodh në tokën evropiane. Po ndodhin vrasje, tortura dhe dhunim. Kjo luftë nuk është abstrakte. Në luftë ka vdekje dhe popullata civile që është viktimë. Në Bakhmut, Bucha, Irpin dhe Mariupol.
Ne si gazetarë kemi për detyrë t’i dokumentojmë këto tmerre. Por duhet të zgjedhim me kujdes edhe atë që tregojmë. Ne nuk mund ta mbrojmë audiencën nga realiteti brutal. Por ne duhet të mbrojmë dinjitetin e viktimave.
Natyrisht, ne raportojmë edhe sesi popullata civile ia del të përballojë të qenit nën zjarr të vazhdueshëm në një zonë lufte. Si e trajtojnë jetën në të cilën asgjë nuk është e njëjtë me atë që ishte, por ende ka momente gëzimi dhe fuqie.
Propaganda ruse duhet të kundërshtohet
Çfarë është e vërtetë dhe çfarë është gënjeshtër? Nuk është gjithmonë e lehtë të thuash. Sidomos jo në luftë. Gazetarët tanë që punojnë në Ukrainë kanë një nga punët më të vështira. Ata duhet të verifikojnë imazhet dhe videot me kolegët, të flasin me dëshmitarët okularë, të kontrollojnë faktet, të japin kontekstin dhe të vënë në pah se cilat janë informacionet e rreme. Edhe kjo rrezikon të bëhet vetë viktimë e luftës. Puna e tyre nuk mund të vlerësohet mjaftueshëm. Diktatorët i frikësohen kësaj lloj gazetarie të pavarur.
Kjo është arsyeja pse makina propagandistike e Vladimir Putinit po përdor çdo mjet që ka në dispozicion për të parandaluar publikimin e së vërtetës rreth agresionit të Rusisë. As bota dhe qytetarët e saj nuk duhet të mësojnë se çfarë po ndodh realisht në Ukrainë. Por, sa viktima civile janë shkaktuar si rezultat i pushtimit, apo sa të larta kanë qenë humbjet ushtarake për ushtrinë ruse. Heshtja, mbulimi dhe gënjeshtra fshehin gjithçka që nuk i përshtatet imazhit të tyre propagandistik.
Lufta është gjithashtu një betejë për të vërtetën
Është punë e vështirë të përballesh me komentatorët politikë anonim të Rusisë në internet, që janë të sponsorizuar nga shteti, dhe të tërheqësh vëmendjen e njerëzve drejt asaj që po ndodh realisht. Por ia vlen përpjekja. E vërteta duhet të dalë në dritë. Gazetarët e DW-së, si dhe kolegët tanë nga organizata të tjera mediatike, po rrezikojnë shumë për ta bërë këtë të mundshme.
Dhe ata kanë mbështetjen e popullit ukrainas. Ata duan që bota të dijë se çfarë sakrificash po bën vendi i tyre dhe çfarë po bëjnë për të luftuar. Se ka rezistencë aktive ndaj forcave ruse në pjesë të Ukrainës nën okupim dhe se ka krime të tmerrshme lufte që po kryhen nga agresorët.
Raporte të tilla nuk po transmetohen nga mediat ruse të kontrolluara nga shteti. Kjo luftë është një luftë për të vërtetën dhe kontrollin narrativ.
Për shumë njerëz, një vit qëkur Rusia pushtoi Ukrainën do të thotë një luftë dramatike për mbrojtjen dhe lirinë e vendit të tyre. Një luftë që meriton mbështetjen e çdo evropiani.
Nga ana jonë, ne si gazetarë ofrojmë informacion falas dhe të paanshëm. Kjo është puna jonë. E rëndësishmja, ne ofrojmë informacion bazë, kontekst dhe jemi transparentë se si e marrim informacionin tonë, në mënyrë që audiencat tona të mund të formojnë opinionet e tyre. Mbi situatën në Bakhmut dhe në të gjithë Ukrainën.
Mbi atë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është propagandë./UBTNews/