UBT News

“Luan si në oborrin e shtëpisë”, Luis Enrique elozhe për Gabin pasi theu rekordin

17 vjeç dhe 60 ditë. Gavi u bë lojtari më i ri në historinë e Spanjës që debuton me fanellën e kombëtares duke thyer një rekord që zgjaste që nga viti i largët 1936.

Nuk ishte thjesht një debutim pasi talenti i Barcelonës i mahniti të gjithë me paraqitjen e tij dhe në konferencën pas ndeshjes, Luis Enrique mund të thoshte vetëm elozhe për të.

“Ne kemi thënë tashmë se është një rast unik, ai po luan sikur të ishte në oborrin e shtëpisë së tij. Është kënaqësi të shoh një lojtar me këtë cilësi dhe personalitet. Ai është e ardhmja e ekipit kombëtar si shumë lojtarë të tjerë që kemi në këtë grup”.

Për të hyrë më në detaje, trajneri spanjoll foli për talentin 17-vjeçar dhe ku e pranoi se është me fat që ka në përbërje një grup të tillë dhe ka mundësinë të zgjedh mes shumë lojtarëve të talentuar.

“Gavi ka bërë një paraqitje të madhe, por nuk është normale. Është diçka e jashtëzakonshme, luan shumë dhe mirë, me shumë personalitet. Jo vetëm që është e ardhmja e Kombëtares, por tashmë e shohim se është edhe e tashmja. Por përveç Gavit, të tjerë si Sarabia, Ferran, Busquets, Koke … me pak fjalë, të gjithë ata që kanë dalë kanë qenë në një nivel të shkëlqyeshëm. Gavi nuk më ka habitur. Ai ka personalitet, guxim, cilësi, futboll … është gjithashtu një mrekulli fizike. Ai kishte për detyrë të mbulonte idhullin e tij, Verrati, dhe ai ka përmbushur më shumë se sa duhet. Është e tashmja e Spanjës, por është e nevojshme t’u jepet normalitet dhe natyralitet këtyre të rinjve. Rruga është vendosur nga Koke, Busquets, Azpilicueta, me pak fjalë, veteranët e deri tek të rinjtë”, përfundoi trajneri spanjoll./Ora News/.

Exit mobile version