Duvan Zapata ka reflektuar në Atalantan e kohëve moderne si dhe në atë se çfarë dëshiron të bëjë pasi që të pensionohet nga futbolli.
Kolumbiani 31 vjeçar nuk po arrin të ketë minutazhë të mjaftueshme këtë sezon, duke munguar rreth gjashtë javë për shkak të një lëndimi në muskul.
Ai është duke u rikuperuar dhe pritet t’i rikthehet aksionit në Bergamo ku Atalanta lufton për kreun e tabelës së Serie A.
Sezonin e kaluar, Zapata regjistroi 13 gola në 32 paraqitje në të gjitha garat.
Duke folur për “DAZN”, Zapata tregoi se çfarë do të dëshironte që të bëjë pasi që t’i dhë fund karrierës si futbollist.
“Unë jam ende pak i pavendosur. Dikur mundohesha të kuptoja se çfarë më pëlqente, tani që jam pak më i pjekur ëndërroj të jem drejtor sportiv”, tha Zapata.
“Është diçka që më pëlqen, ose më pëlqen të gjej talente të rinj. Unë ende e shoh të ardhmen time si lojtar këtu në Itali dhe këtu në Atalanta, mendoj se mund të vazhdoj të shprehem dhe të flas për veten time”, shtoi më tej ylli kolumbian.
Atalanta e Gian Piero Gasperinit aktualisht gjendet në vendin e dytë në Serie A pas 12 ndeshjeve, ku është pesë pikë larg liderit, Napolit.
Atalanta ka humbur vetëm një ndeshje këtë sezon, dhe po lufton për një vend në Top 4, ose edhe Scudetton nëse mundet që ta mbajë momentumin që e ka tani.