Louis van Gaal është emëruar si trajneri i ri i Holandës, duke marrë këtë detyrë për herë të tretë në karrierën e tij. 69-vjeçari zëvendëson Frank de Boer, i cili dha dorëheqjen muajin e kaluar pas humbjes në fazën e 1/8-ave të Euro 2020, kundër Çekisë.
Më parë, Van Gaal e ka drejtuar kombëtaren e vendit të tij në periudhën 2000-2002 dhe 2012-2014. Më pas ai u bë trajner i Manchester United dhe që prej shkarkimit nga detyra nga klubi anglez në vitin 2016 nuk ka drejtuar më skuadër tjetër.
“Futbolli holandez gjithmonë ka qenë pranë zemrës sime dhe pozicioni i trajnerit të skuadrës kombëtare është kyç për ta çuar përpara futbollin holandez”, tha Van Gaal. Aventura e tij nis në shtator, me 3 ndeshje kualifikuese të Botërorit 2022.
Gjatë karrierës, Van Gaal ka fituar më shumë se 20 trofe, mes të cilëve një Champions League me Ajax dhe tituj kampion te Barcelona dhe Bayern Munchen.