Kombëtarja e Kosovës sot do të zhvillojë stërvitjen e radhës me fillim nga ora 17:30 në Kampion Nacional në Hajvali. Ajo që do ta karakterizojë këtë seancë stërvitore është fakti që lojtarët do të jenë të hapur për t’u takuar me tifozët, për të bërë fotot e bashkëbiseduar me ta.
Kështu ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës përmes një njoftimi të lëshuar në faqen zyrtare, ku u bëhet thirrje tifozëve për të qenë prezent atje.
“Sot është dita për ta shfaqur dashurinë tuaj ndaj futbollit dhe Kombëtares së Kosovës. Ora: 17:30. Vendndodhja: Kampi Nacional në Hajvali Çfarë ka më të mirë sesa të shikosh talentin dhe pasionin e futbollistëve dardanë në aksion? Stërvitja e sotme do të jetë e hapur për publikun. Bëhuni pjesë e këtij momenti dhe pasuroni koleksionin tuaj të fotove me idhujt tuaj të futbollit! Mos harroni të merrni nënshkrimet e futbollistëve të preferuar e të ndani këtë moment të veçantë me ta”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon të shtunën kundër Zvicrës në stadiumin “Fadil Vokrri”.