Personi më i vjetër në botë është tërhequr përfundimisht nga stafeta olimpike e pishtarit, duke thënë se ajo është e shqetësuar për përhapjen e Covid-19 tek të tjerët në shtëpinë e të të moshuarve.
Kane Tanaka, 118-vjeçare, kishte menduar të merrte pjesë në stafetë për Tokyo 2020 në Fukuoka, Japoni të Jugut, më 11 maj.
Muajin e kaluar, pas rritjes së rasteve me COVID-19, Japonia shpalli gjendje të jashtëzakonshme në qytetet kryesore, Tokio dhe Osaka. Disa të famshëm gjithashtu janë tërhequr për shkak të shqetësimeve në lidhje me virusin.
Tanaka, e cila u lind më 1903, hyri në Librin Guinness në mars të vitit 2019, si personi më i vjetër në botë.
Një zyrtar në shtëpinë e të moshuarve tha se familja e saj u kishte dërguar email organizatorëve të stafetës, duke thënë se ajo “donte të tërhiqej nga stafeta pasi ajo dhe familja e saj ishin të shqetësuar për përhapjen e virusit në shtëpinë e të moshuarve”.
Situata në Japoni
Kufizimet u vendosën në Tokio, Osaka, Kyoto dhe Hyogo më 25 prill, dhe do të zgjasin deri më 11 maj.
Sidoqoftë mediat lokale po raportojnë se qeveria po konsideron zgjatjen e kufizimeve. Por ende nuk dihet nëse këto kufizime do të ndikojnë në Lojërat Olimpike në përgjithësi. Lojërat Olimpike që u shtynë një vit për shkak të pandemisë, planifikohet të fillojnë më 23 korrik.
Sipas transmetuesit NHK, kapaciteti spitalor për pacientë të sëmurë rëndë në Osaka tani ka tejkaluar 99% dhe guvernatori i rajonit tha se ka dyshime nëse gjendja e jashtëzakonshme e prefekturës mund të përfundojë këtë muaj./UBTNews
(Arjeta Ibishi, studente në Media dhe Komunikim në UBT)