Qendërmbrojtësi francez Anthony Monin është përforcimi më i ri i skuadrës së Llapit. Ekipi nga Podujeva të martën e ka zyrtarizuar francezin, i cili ka firmosur kontratë dyvjeçare.
Sipas klubit llapjan, Monin 24-vjeçar tashmë është regjistruar dhe ka të drejtën e paraqitjes qysh prej ndeshjes kundër Ballkanit, që Llapi e luan më 10 shkurt në kuadër të Kupës së Kosovës.
“Llapi ka arritur marrëveshje 2 vjeçare me qendërmbrojtësin francez, Anthony Monin i cili nga dita e sotme është bashkuar me skuadrën, ndërsa ka pasur edhe disa minuta në ndeshjen kontrolluese ndaj Bashkimit. Anthony Monin është 24 vjeç, i lindur më 03.05.1996 në Besancon të Francës. Pozita e tij natyrale është qendërmbrojtës dhe ka bërë karrierë tek skuadrat e FC Vesoul, Caledonian Braves FC, Berëick Rangers FC U20 dhe së fundmi tek FC Vallorbe-Ballaigues”, thuhet në njoftimin e Llapit.