Kupa e Kosovës është një turne i kupës kombëtare në futbollin e Kosovës. KF.Llapi nga Podujeva dhe KF.Dukagjini nga Klina, janë dy ekipet finaliste të Kupës së Kosovës në futboll në sezonin 2020/2021. Ndeshja finale do zhvillohet më 12 maj 2021, në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:45.
Në vitin 1991 nga Federata e Futbollit të Kosovës u formua turneu i kupës kombëtare në futbollin e Kosovës dhe zhvillohet çdo vit. Në këtë turne garojnë ekipet nga Superliga e Kosovës, Liga e Parë dhe Liga e Dytë.
Këtë vit dy ekipet finaliste janë me komplet synime të kundërta në ligat e tyre. KF.Llapi është pjesë e Superligës dhe dëshiron qëndrimin aty edhe më tej, por synon daljen në Europë. Ai ka zgjedhur rrugën më të shkurtër që të dërgon aty, pra Kupën e Kosovës. KF.Dukagjini që garon në Ligën e Parë, nga fillimi vëmendjen e ka pasur te rikthimi në Superligë dhe Kupa nuk ishte në planet e tyre.
Arritja deri në finale nuk ishte e lehtë për asnjërën skuadër. Llapi eleminoi Ballkanin, Trepçën ’89 e në gjysmëfinale e mposhti Prishtinën, kurse Dukagjini u ndesh me 2 Korrikun, Drenicën dhe në gjysmëfinale në lojën e parë mposhti Istogun me rezultat 2:1, por pas një lëshimi të bërë nga ekipi i Istogut, ndeshja u regjistrua me rezultat 3:0 në favor të Dukagjinit dhe u kualifikua direkt në finale.
Për trajnerin e Dukagjinit, Armend Dallku, finalja e Kupës së Kosovës është “qershia mbi tortë”.
“ Po të jem i sinqertë edhe unë nuk e kisha menduar qe të jemi në finale sepse misioni im ka qenë rikthimi i ekipit në superligë, mirëpo edhe në kupë kam kërkuar nga lojtarët e mi qe çdo ndeshje do t’ia bëjmë hyzmetin për ta fituar dhe do të bëjmë gjithçka që të jemi deri në fund në këtë kompeticion. Në finale e para pres ndeshje kualitative, shumë të pëlqyeshme nga dy ekipet. Personalisht unë dhe ekipi im kemi bërë maksimumin e mundshëm për këtë ndeshje edhe pse jemi në finale do të jemi shumë të qetë, pa presion”, deklaroi ai.
Ky është viti i dytë i tij finalist i Kupës si trajner, pasi që vitin e kaluar ishte fitues i Kupës me ekipin e KF.Prishtinës.
Nga ana tjetër Tahir Batatina, trajner i Llapit e kishte mision nga fillimi Kupën.
“Ne kemi humbur një finale vite më parë, por kemi tentuar të bëjmë ndeshje cilësore dhe gjithmonë kemi synuar trofe, por ndoshta na ka munguar edhe përvoja viteve të kaluara. Tashmë kemi një ekip të komponuar dhe me lojtarë kampionë dhe që kanë fituar tituj dhe mendoj që finalja e 12 majit na gjen të përgatitur maksimalisht për të triumfuar. Gjithashtu nuk do kemi mungesa sepse na u kanë rikthyer nga lëndimet Zhdrella, Leci e Haliti”, tha ai.
Për të dyja klubet ky do të jetë trofeu i parë në histori të tyre./UBTNews
(Alketë Zejnullahu, studente në Media dhe Komunikim në UBT)