Liverpooli po përjeton momente të nxehta në prag të ndeshjes së rëndësishme të Ligës së Kampionëve kundër Interit, ndërsa e ardhmja e Mohamed Salahit për këtë duel mbetet e paqartë.
Sulmuesi egjiptian mund të mos udhëtojë fare drejt Milanos, pasi klubi është duke shqyrtuar masa disiplinore ndaj tij pas komenteve të ashpra që ai ka bërë kundër trajnerit Arne Slot.
Sipas burimeve të brendshme, drejtuesit e Liverpoolit janë të shqetësuar nga sjellja e Salahut dhe po diskutojnë nëse veprimet e tij cenojnë autoritetin e trajnerit dhe atmosferën në ekip. Vendimi përfundimtar pritet të merret sot, pak para se Slot të dalë në konferencën e planifikuar për shtyp.
Ndeshja kundër Interit është një test i madh për Liverpoolin, por tensionet e brendshme po e errësojnë përgatitjen e skuadrës.
Nëse Salah përjashtohet, kjo do të krijonte tronditje të madhe brenda klubit dhe te tifozët, duke shtuar presionin mbi trajnerin dhe ekipin në një moment kritik të sezonit./S.K/KP/
