UBT News

Liverpool mposhtet në shtëpi, Atalanta e pandalshme

Gian Piero Gasperini dhe Atalanta e tij kanë arritur një fitore tejet të rëndësishme në çerekfinalen e parë të Europa League duke mposhtur Liverpoolin me rezultat 3-0 në “Anfield”.

Italianët e filluan ndeshjen me vrull ku Mario Pasalic rrezikoi portën e Kelleher qysh në minutën e tretë, mirëpo pritja e portierit irlandez ia mohoi golin Atalantas.

Në anën tjetër, Alexis Mac Allister dhe Darwin Nunez kishin raste të mira, por që nuk arritën të realizonin.

Goli parë i ndeshjes erdhi në minutën e 38-të ku pas një asistimi të Davide Zappacosta, Gianluca Scamacca, e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.

Në fundin e pjesës së pare ishin sërish Atalanta të cilët paten mundësi ta dyfishonin rezultatin pas një goditje të Teun Koopmeiners, por pa rezultat.

Jurgen Klopp e filloi pjesën e dytë me tri zëvendësime, pas një paraqitje të dobët të skuadrës së tij në pjesën e parë.

Në minutën e 60-të, sërish është Scamacca ai që shënon për 2-0 pas asistimit të De Ketelaere.

Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Pasalic doli në skenë për të shënuar për 3-0, duke e “fundosur” përfundimisht Liverpoolin.

Ndeshja kthyese do të zhvillohet pas një jave në Bergamo./UBTNews/

Exit mobile version