UBT News

Lituania thotë se Bjellorusia po i përdor emigrantët si armë

Bashkimi Evropian duhet të konsiderojë vendosjen e më shumë sanksioneve ndaj Bjellorusisë sepse Minsku po lejon daljen e emigrantëve në bllokun evropian në mënyrë të paligjshme, tha të hënën Ministri i Jashtëm Lituanez Gabrielius Landsbergis.

Qeveria e tij akuzon autoritetet Bjelloruse për dërgimin e qindra emigrantëve kryesisht irakianë përtej kufirit në Lituani, një vend anëtar të BE-së, përcjell Klankosova.tv.

Lituania filloi të ndërtonte një barrierë me rroje e cila është e gjatë 550 km në kufirin me Bjellorusinë të premten, një veprim që ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutonin në Bruksel, raporton Reuters.

“Kur refugjatët të përdoren si një armë politike … Unë do të flas me kolegët e mi në mënyrë që Bashkimi Evropian të ketë një strategji të përbashkët,” tha Landsbergis.

Ai sugjeroi që emigrantët ishin duke u përdorur si një mjet presioni mbi BE-në, e cila ka vendosur një seri sanksionesh mbi Bjellorusinë që nga zgjedhjet e diskutueshme presidenciale gushtin e kaluar që u pasua nga një goditje policore në protestat në rrugë.

“Ne duhet të jemi shumë të rreptë me regjimet që po përdorin këto lloj armësh, së pari me sanksione, kur këto lloj sulmesh hibride përdoren kundër Bashkimit Evropian,” tha Landsbergis.

Ai tha se BE-ja duhet të hartojë një pako sanksionesh, pas listave të zeza të zyrtarëve Bjellorusë që filluan si një përgjigje ndaj zgjedhjeve presidenciale por tani kërkojnë të ndëshkojnë abuzime më të gjera. Lukashenko ka mohuar mashtrimin elektoral.

Muajin e kaluar, BE-ja vendosi sanksione të gjera ekonomike ndaj industrive kryesore të eksportit të Bjellorusisë dhe ndaj bankave dhe financave, në përpjekje për të goditur burimet e të ardhurave për Presidentin Alexander Lukashenko, i cili ka qenë në pushtet që nga 1994.

Udhëheqësit e BE-së u zemëruan kur autoritetet Bjelloruse kapën një aeroplan pasagjerësh që fluturonte midis Athinës dhe Vilnius më 23 maj dhe arrestuan një gazetar disident dhe të dashurën e tij që ishin në bord.

Exit mobile version