UBT News

Lista e Ancelottit për ndeshjet e shtatorit, mungojnë yjet e Brazilit

Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka publikuar listën e tij të dytë në krye të “Seleçaos”, për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026 ndaj Kilit dhe Bolivisë që zhvillohen në muajin shtator.

Lista përfshin disa zgjedhje të guximshme, duke lënë jashtë disa prej emrave më të njohur të futbollit brazilian. Neymar, Vinicius Jr., Rodrygo dhe Eder Militao nuk janë përfshirë në këtë grumbullim.

Ancelotti ka sqaruar se mungesa e Neymar-it lidhet me një problem të vogël fizik, por gjithashtu me nevojën për të testuar alternativa të reja në formacion:
“Neymar nuk është thirrur për shkak të një shqetësimi të lehtë fizik, por edhe sepse ne e njohim kontributin e tij. Ky është një moment për të provuar zgjidhje të reja,” u shpreh trajneri italian.

Lucas Paqueta rikthehet në skuadër pas një periudhe mungese, ndërsa risia e vetme është Kaio Jorge, sulmuesi i ri i Cruzeiros, i cili do të ketë mundësinë të debutojë me përfaqësuesen.

Në listë gjenden gjithashtu emra të rëndësishëm si Marquinhos, Bruno Guimaraes, Joelinton, Raphinha dhe Richarlison, që pritet të jenë pjesë e bërthamës së skuadrës për fazat finale të turneut.

“Ky grup duhet të ketë një bërthamë lojtarësh që do të jenë të rëndësishëm për Kupën e Botës. Rreth kësaj bërthame, ne duhet të testojmë futbollistë që mund të jenë pjesë e skuadrës përfundimtare në të ardhmen,” deklaroi Ancelotti.

Brazili është kualifikuar tashmë për Botërorin 2026 dhe këto dy ndeshje do të shërbejnë për të ndërtuar skuadrën me të cilën do të përfaqësohet në turneun që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Takimi i parë do të zhvillohet më 4 shtator në “Maracanã” ndaj Kilit, ndërsa më 9 shtator, Brazili udhëton në Bolivi për të mbyllur ciklin kualifikues.

Exit mobile version