Platforma “Liria ka emër” ka njoftuar organizimin e një marshi më 1 tetor në Prishtinë dhe jashtë Kosovës, si dhe nisjen e një peticioni qytetar drejtuar Brukselit, Strasburgut e Hagës, nën moton “Jo në emrin tim”. Ky reagim vjen pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale me 81 vjet burgim ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, iu bëri thirrje spektrit politik, shoqërisë civile, mërgatës dhe ekspertëve për bashkim dhe koordinim në këtë fazë të re juridike. Ai i kërkoi institucioneve të Kosovës transparencë dhe një strategji të qartë shtetërore, duke propozuar gjithashtu një mbledhje urgjente të përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për mbrojtjen e luftës së UÇK-së.
Përfaqësuesja Eliza Hoxha sqaroi se data 1 tetor është zgjedhur simbolikisht për të kujtuar protestat studentore të vitit 1997. Ajo bëri të ditur se pas marshit në Prishtinë, më 10 tetor mobilizimi qytetar do të vijojë edhe në Bruksel me pjesëmarrjen e mërgatës. /E.A/
