UBT News

 Lionel Scaloni shpërthen në lot pas humbjes në finalen e Botërorit, largohet para kohe nga konferenca

Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, nuk arriti t’i përmbante emocionet pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026, duke e ndërprerë para kohe konferencën për shtyp.

Sipas raportimit të Stan Sport Football, tekniku argjentinas u shfaq i prekur teksa foli për rrugëtimin e ekipit dhe sfidën e madhe për të ndërtuar sërish një skuadër si kjo.

“Të gjithë ne në stafin teknik kemi menduar për të qenë në këtë moment. Por për të vazhduar më tej duhen shumë gjëra, mbi të gjitha të rifillosh gjithçka nga e para. Të ndërtosh sërish një grup si ky është shumë e vështirë… dhe kjo më dhemb në shpirt”, u shpreh Scaloni.

Menjëherë pas këtyre fjalëve, ai u ngrit nga karrigia, kërkoi ndjesë me fjalët “Më falni” dhe u largua nga konferenca, pa vazhduar më tej deklaratën e tij.

Pavarësisht humbjes, Argjentina arriti ta çojë finalen në vazhdime edhe pse luajti për një pjesë të madhe të ndeshjes me një futbollist më pak. Scaloni la të kuptohej se ndeshja mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë nëse skuadra e tij nuk do të mbetej me 10 lojtarë.

Pas finales, trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, shprehu mbështetjen për homologun e tij.

“Më vjen shumë keq për atë që po kalon. Megjithatë, ai duhet të jetë krenar për atë që ka arritur. Ka thyer çdo rekord. Është ende i ri dhe ka shumë futboll përpara”, deklaroi De la Fuente.

Kontrata e Lionel Scalonit me Federatën Argjentinase të Futbollit skadon në muajin dhjetor, ndërsa trajneri ka bërë të ditur se do ta respektojë marrëveshjen deri në fund.

Burimi: Stan Sport Football

D.L

Exit mobile version