Ligji për Mbikëqyrje Elektronike të personave të cilët u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës nuk po zbatohet në Kosovë. Madje për këtë ligj nuk ka as salla operative për mbikëqyrje elektronike si dhe nuk ka pajisje apo byzylyk elektronik për mbikëqyrje.
Kështu thotë raporti “Pajisjet elektronike: Fokusi në parandalimin e rasteve të dhunës në familje”, i lansuar sot nga Lëvizja FOL dhe mbështetur nga misioni i EULEX-it në Kosovë.
Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark deklaroi se Kosova ka përshtatur kornizën ligjore me atë të BE-së në rrugën e luftimit të kësaj dukurie, por theksoi se qeveria duhet të punoj në këtë në aspektin e strategjisë kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje.
Por, sipas tij ndonëse ka pasur vullnet politik, Ligji për Mbikëqyrje Elektronike nuk po gjen zbatim në praktik, dhe ka mbetur vetëm si ligj në letër.
“Me sa kam unë njohuri, ky ligj për mbikëqyrjen e elektronikës është kryesisht një ligj në letër. Nuk është i vetmi, dhe jo vetëm këtu në Kosovë, që ka mbetur në letër, por tani 5-6 vjet pasi u miratua, është koha për të parë se si mund të zbatohet. Sigurisht, këtu po e shikoj në veçanti Policinë e Kosovës por edhe Gjyqësorin në përgjithësi që duhet të vendosë se si të ecet përpara”, theksoi ai.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se institucionet e Kosovës kanë shënuar progres në aspektin e parandalimit të dhunës në familje, por nevojitet që të plotësohet tutje korniza ligjore për trajtimin e këtyre rasteve.
Sipas tij institucionet e Kosovës duhet të punojnë shumë në aspektin e krijimit të mekanizmave për riintegrimin e viktimave të dhunës në familje. Ndërsa ka shtuar se shteti i Kosovës ka dështuar të zbatoj në praktik Ligjin për Mbikëqyrje Elektronike.
“Shteti, qeveria ka dështuar ta zbatojë këtë ligj, në fakt ne nuk kemi të dhëna që deri më sot janë siguruar pajisjet që e bëjnë të mundur zbatimin e këtij ligji. Në anën tjetër Policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë nxjerr udhëzimet administrative se si mund të zbatohet ky ligj por deri më sot mund të themi se ne këtë drejtim nuk është treguar rezultat dhe nuk është treguar sukses dhe përkundër rekomandimeve të qarta edhe nga Avokati i Popullit”, theksoi ai.
Kapiten, Arsim Shala koordinator kombëtar për dhunën në familje pranë Policisë së Kosovës tha se raportimi i dhunës në familje në vitet e fundit në Kosovë është fenomen në rritje.
Sipas tij ndonëse me vonesë Policia e Kosovës tashmë ka përgatitur një plan për funksionalizimin e mekanizmave për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrje elektronike, plan i cili është në fazën e fizibilitetit dhe në gjysmën e vitit të ardhshëm mund të implementohet.
Ndërsa, ekspertja nga FOL, Albana Hasani prezantoi raportin ku tha se Ligji për Mbikëqyrje Elektronike jo vetëm që nuk ka gjetur zbatim, por as kushtet nuk ekzistojnë që ky ligj të zbatohet.
Hasani tha se për zbatim të këtij ligji mungojnë pajisjet elektronike e sallat operative.
Ligji për Mbikëqyrje Elektronike të personave të cilët u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës është miratuar në vitin 2015, ndërsa në fuqi hyri në vitin 2020.