UBT News

Ligji për Gjykatën Komerciale pritet të hyjë në fuqi në janar 2022

Ligji për Gjykatën Komerciale mund të hyjë në fuqi më 1 janar 2022. Të paktën ky është synimi i Ministrisë së Drejtësisë për këtë institucion për të cilin ka pritshmëri se do të krijojë një klimë të përshtatshme të të bërit biznes dhe të rriten investimet.

Kështu deklaroi të enjten zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu në tryezën “Ndikimi i Gjykatës Komerciale në nxitjen e investimeve”, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK).

Gjatë këtij diskutimi, Sallahu para të pranishmëve tha se do të rrisin numrin e gjyqtarëve nga 5 sa është aktualisht në 30, ndërsa shtoi se krahas kësaj parashihet të rritet edhe numri i stafit administrativ.

Në këtë mënyrë, siç tha ai, numri i personelit komercial do të arrijë në 97 persona.

“Arsyeja tjetër pse ne kemi vendos që ta trajtojmë shumë shpejt këtë projektligj është pasi ju e dini që sot në Departamentin Ekonomik janë vetëm 5 gjyqtarë dhe sipas statistikave që kemi aktualisht në gjykata në vitin 2018-2020 janë diku 2 mijë e 260 lëndë të reja, përjashto lëndët më të vjetra që ekzistojnë. Pesë gjyqtarë, që i bie diku secili gjyqtar të ketë diku 500 lëndë për të kryer. Kështu, në këtë aspekt, është një lloj mundësie që të gjitha këto konteste të zgjidhen në mënyrë më të shpejtë duke e rritur numrin e gjyqtarëve nga 5 në 30, po ashtu edhe me staf administrativ të paraparë, që përafërsisht stafi dhe rritja e numrit të gjyqtarëve, do të ketë diku 97 veta. Kjo lehtëson zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, personave fizikë dhe juridikë dhe tregon se po krijojmë një ambient të përshtatshëm për të bërë biznes”, tha ai.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se do të ishte mirë që Projektligji për Gjykatën Komerciale të votohet sa më shpejtë në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të mund të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2022. Ai theksoi se fuqizimi i sundimit të ligjit por edhe zbatimi i kontratave janë çështjet për të cilat është parë pak progres ndër vite, teksa shtoi se me themelimin e Gjykatës Komerciale do të përmirësohet situata.

“Shpresojmë që sa më shpejtë të jetë e mundur ligji të hidhet në votim para deputetëve të Kuvendit të Republikës të Kosovës, dhe si i tillë, do të përfundojë të gjitha procedurat e nevojshme dhe nuk e di nëse është ideale, të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2022, edhe pse e di se nevojiten edhe përgatitjet e tjera edhe në aspektin e kapaciteteve njerëzore, që duhet të kryhen gjatë kësaj periudhe. Kurdoherë dhe që Banka Botërore ka nxjerrë raportin e saj për të bërit biznes në vend, indikatori i zbatimit të kontratave ishte njëri prej indikatorëve me më së paku progres. Prandaj, shpresojmë që krijimi i Gjykatës Komerciale do të ndikojë në përmirësimin e këtij indikatori, edhe në nxitjen e investimeve të brendshme edhe në tërheqjen e investimeve të jashtme në vend”, u shpreh Zeka.

Lidhur me këtë zëvendësministri Sallahu tha se janë të interesuar që ligji të futet në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm, por theksoi se paraprakisht për këtë duhet të konsultohet ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Sot do të isha i kënaqur të jepja një zotim të tillë, mirëpo mendojmë paraprakisht të marrim edhe një konsultë nga ministri i Financave, Hekuran Murati, sepse ai është që e adreson dhe e vendos këtë çështje. Mirëpo, nëse kemi edhe para nga donatorët, dhe prej qeverisë, jemi të interesuar që më 1 janar të vitit të ardhshëm të futet në fuqi, mirëpo duhet paraprakisht një konsultim me ministrin e Financave”, tha Sallahu.

Ndërsa Ardi Shita, jurist në OEAK, tha se do të ndihmojnë Ministrinë e Drejtësisë për rritjen e zbatueshmërisë së kontratave.

Exit mobile version