UBT News

Liga e Kombeve: Portugalia kampione për herë të dytë

Portugalia është kampionia e re e Ligës së Kombeve, pas një finaleje të tensionuar ndaj Spanjës që u mbyll pas ekzekutimit të penalltive. Ndeshja, e zhvilluar në “Allianz Arena” të Mynihut, përfundoi me rezultat të barabartë 2-2 pas kohës së rregullt dhe dy vazhdimeve, ndërsa penalltitë i buzëqeshën Portugalisë.

Skuadra iberike e Cristiano Ronaldos fitoi me rezultat 5-3 pas gjuajtjeve nga pika e bardhë, duke e siguruar titullin e dytë në këtë garë, pas atij të fituar në edicionin 2018-2019. Fati i finales u vendos nga gabimi i Alvaro Moratës në penalltinë e katërt, të cilën nuk arriti ta realizojë.

Të dy kombëtaret ishin kualifikuar në finale pas dueleve gjysmëfinale të forta: Portugalia kishte eliminuar nikoqirin Gjermani, ndërsa Spanja kishte mposhtur Francën në një ndeshje dramatike.

Spanja e hapi ndeshjen me golin e Martin Zubimendi në minutën e 26-të, por pesë minuta më vonë Nuno Mendes barazoi rezultatin pas asistimit të Pedro Netos. Golin e dytë për Spanjën e realizoi Mikel Oyarzabal në kohën shtesë të pjesës së parë, ndërsa në pjesën e dytë Portugalia reagoi përmes Cristiano Ronaldos në minutën e 61-të, duke e çuar ndeshjen në vazhdime.

Ronaldo, megjithatë, nuk e përfundoi ndeshjen, pasi u zëvendësua nga Gonçalo Ramos në minutën e 87-të, ndërsa shiritin e kapitenit e mori Bruno Fernandes. Në vazhdime, të dy skuadrat patën raste, por nuk arritën të ndryshojnë rezultatin.

Gjuajtjet e penalltive nisën me Ramos dhe Merinon, që shënuan përkatësisht për Portugalinë dhe Spanjën. Vitinha dhe Baena ishin gjithashtu të saktë në serinë e dytë, ndjekur nga Fernandes dhe Isco, që barazuan në tre me tre. Nuno Mendes realizoi për Portugalinë në penalltinë e katërt, ndërsa Morata dështoi të shënojë. Ruben Neves vulosi gjithçka me realizimin e tij për rezultatin përfundimtar 5-3.

Spanja, që kishte fituar edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve ndaj Kroacisë, nuk arriti të mbrojë titullin. Kombëtarja spanjolle ishte e pamposhtur në dhjetë ndeshje radhazi në këtë kompeticion, me nëntëmbëdhjetë fitore në gjithsej 42 takime që nga fillimi i Ligës së Kombeve – një bilanc shumë më i mirë në krahasim me Portugalinë që ka gjashtë fitore në përballjet direkte.

Kjo ishte finalja e parë mes këtyre dy kombëtareve në një garë zyrtare pas përballjes së fundit në shtator të vitit 2022, kur Spanja fitoi minimalisht 1-0 në Portugali, po ashtu në Ligën e Kombeve. Për Portugalinë, titulli i sivjetmë përforcon pozicionin e saj si një ndër skuadrat më të suksesshme në këtë format të garës evropiane.

Exit mobile version