UBT News

Lidershipi në epokën e Inteligjencës Artificiale: Diskutimet kyçe nga paneli i parë i Konferencës Ndërkombëtare

Në panelin e parë të Konferencës së Lidershipit me temën: “Qeverisja e Inovacionit: Lidershipi në Epokën e Inteligjencës Artificiale”, e cila u zhvillua në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, u vendos fokusi në vëmendjen e institucioneve, e cila shpesh mbetet vetëm te zbatimi teknik, duke lënë anash strategjinë dhe menaxhimin e mençur të këtyre sistemeve.

Pjesë e panelit, Prof. Dr. Blerton Abazi – Dekan i Fakultetit të Sistemeve të Informacionit në UBT, vuri në dukje se valët e shpejta të inovacionit gjatë dekadës së fundit kanë ndryshuar rrënjësisht terrenin operacional. Profesor Abazi tërhoqi vëmendjen se sistemet e vjetra nuk ishin projektuar me mendësinë e mbrojtjes kibernetike ndaj këtyre sfidave dhe kërkoi që fokusi të zhvendoset drejt lidershipit.

“Që nga viti 2013 e këtej, ne kemi pasur disa ndryshime të mëdha, si Internet of Things, Cloud Computing, Data Science, siguria kibernetike dhe së fundi inteligjenca artificiale. Ne zakonisht diskutojmë për aspektin e implementimit teknik, e shumë pak për aspektin e lidershipit dhe përdorimit sa më të mençur të këtyre sistemeve”, shprehet Abazi.

Në të njëjtën linjë, panelisti dhe profesori i UBT-së, Florin Aliu, potencoi se rrugëtimi teknologjik ka qenë jashtëzakonisht i shpejtë, duke kulmuar sot me Inteligjencën Artificiale.

Profesor Aliu ftoi për më shumë maturi, duke argumentuar se e ardhmja mbetet e panjohur sepse varet nga vendimet njerëzore, dhe se të dhënat apo teknologjia nuk e zëvendësojnë dot qeverisjen e duhur.

“E ardhmja është e panjohur sepse varet nga vendimet e qeverive dhe njerëzve. Kush mund ta parashikonte krizën financiare të viteve 2008-2009 në SHBA, edhe pse atje janë universitetet dhe kërkuesit më të mirë? Inteligjenca artificiale po përmirëson disa gjëra, por le të mos mbështetemi verbërisht tek ajo sepse ka edhe efekte anësore”, tha Aliu.

Nga këndvështrimi institucional, drejtori i Departamentit të TI-së në ATK, Prof. Agron Hamiti, nënvizoi se procesi i digjitalizimit nuk lë hapësirë për ngurrim, por kërkon një përgatitje të thellë të strukturës organizative dhe menaxhimit të të dhënave. Ai bëri të ditur se po hidhen hapat e parë konkretë për krijimin e një divizioni të dedikuar posaçërisht për inteligjencën artificiale.

“Digjitalizimi nuk lë vend për ngurrim. Ne kemi hartuar dokumente që gjenerohen prej strategjisë së përgjithshme, ku një prej tyre është ajo për menaxhimin e të dhënave. Kemi bërë edhe freskimin e strukturës organizative dhe parashohim krijimin e një divizioni që do të merret veçanërisht me pjesën e inteligjencës artificiale (AI)”, sipas Hamiti. /E.A/

Exit mobile version