Fuqitë perëndimore i kanë bërë thirrje Rusisë të ulë tensionet me Ukrainën dhe kanë mbështetur Kievin kundër çdo kërcënimi nga Moska.
Presidenti i SHBA Joe Biden foli me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson dhe liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, dhe ranë dakord që të përdorin “të gjitha mjetet në dispozicion të tyre” për të parandaluar agresionin.
Biden do të flasë me presidentin rus Vladimir Putin me video-telefonatë më vonë gjatë ditës së sotme.
Rusia ka rritur trupat e saj pranë kufirit të Ukrainës, duke shkaktuar frikë. Por Moska thotë se nuk ka plan për të sulmuar Ukrainën dhe ka akuzuar vendet perëndimore për provokim.
Në një telefonatë të hënën në mbrëmje, udhëheqësit perëndimorë diskutuan “shqetësimin e tyre të përbashkët për ngritjen e ushtrisë ruse”, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Pesë liderët kishin “riafirmuar mbështetjen e tyre të vendosur për integritetin territorial të Ukrainës”, tha Downing Street.
Shtëpia e Bardhë tha se ata kishin formuar një strategji të përbashkët “për të imponuar dëm të konsiderueshëm dhe të rëndë në ekonominë ruse” nëse Rusia fillon një pushtim.
Sipas raporteve të mediave amerikane, masat e mundshme përfshijnë kufizime në bankat e Rusisë ose aksesin e saj në sistemet globale të pagesave financiare. Por zyrtarët thonë se Uashingtoni nuk po planifikon një përgjigje ushtarake të SHBA.