UBT News

Liderët e BE-së pro ‘zgjerimit’ – por kjo nuk do të ndodhë së shpejti

Në një samit që u cilësua si “shfaqje” e bisedave me dykuptimësi , ëndrrave dhe dëshpërimit, dhe e shkëputjes midis synimeve të vërteta dhe realitetit, udhëheqësit e BE-së deklaruan mbështetjen e tyre për gjashtë kombet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim, megjithëse pranuan se procesi i anëtarësimit ka ngecur.

Pritshmëritë për samitin e së mërkurës, ishin aq të ulëta sa që liderët e BE-së dhe zyrtarët kombëtarë nga Ballkani Perëndimor u larguan të gjithë optimistë pavarësisht se nuk kishin bërë pothuajse asnjë përparim, me shumë media që citonin sesi Brukseli nuk po i mbanë premtimet e tij.

Në shenjë se sa është bërë jashtëzakonisht e vështirë shtimi i vendeve të reja anëtare, organizatorët e samitit festuan faktin se deklarata përfundimtare e liderëve përfshinte vetëm një përmendje të vetme të fjalës “zgjerim” – fjalë kjo që kundërshtarët e zgjerimit të BE-së kishin luftuar ashpër në parandalimin e shfaqjes së saj në formë të dokumentuar.

Si dëshmi e situatës së rëndë, fillimi i bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë – të cilat tashmë kanë marrë një dritë jeshile nga Brukseli – po bllokohen kryesisht nga Bullgaria, përcjell UBT News.

Qeveria në Sofje po e mban pezull anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve mbi historinë dhe gjuhën, për të cilat ajo këmbëngul se duhet të zgjidhen, dhe si rezultat, po pengon edhe Shqipërinë pasi BE-ja ka lidhur në mënyrë efektive ofertat e dy vendeve.

Në një konferencë shtypi përmbyllëse, Presidentja e Komisionit, Evropian Ursula von der Leyen, këmbënguli se BE-ja është e hapur për Ballkanin Perëndimor.

“Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor” — Ursula von der Leyen

“Mesazhi i Komisionit është shumë i qartë”, tha ajo. “Para së gjithash, Ballkani Perëndimor është pjesë e së njëjtës Evropë me Bashkimin Evropian. Ne ndajmë të njëjtën histori, ne ndajmë të njëjtat interesa, të njëjtat vlera dhe jam thellësisht e bindur, se [ndajmë] gjithashtu të njëjtin fat. BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor” u shpreh ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

“Komisioni im do të vazhdojë të bëjë çmos për të çuar përpara procesin e zgjerimit dhe integrimin e rajonit në BE. Ne duam Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian. Nuk mund të ketë asnjë dyshim se qëllimi ynë është zgjerimi”.

Por pak më vonë në të njëjtën konferencë, ajo pranoi se megjithëse kombet e Ballkanit kanë ndërmarrë të gjitha reformat për të përmbushur kërkesat e anëtarësimit në BE, kjo e fundit nuk po i përmbahet premtimeve të saj.

“Ndërkohë, Bashkimi Evropian gjithashtu duhet të zbatojë atë që ka premtuar”, tha ajo. “Dhe në veçanti, mungesa e një vendimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë po rrezikon pozitën dhe fuqinë tonë në rajon”, shtoi Von der Leyen.

“Nëse shikoni deklaratën tonë, është një deklaratë shumë e qartë se angazhimi ynë për zgjerimin është në paragrafin e parë. Kjo tregon gatishmërinë tonë këtu për të ecur përpara”, tha ajo.

Edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, përmendi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për BE-në duke e përshëndetur deklaratën e udhëheqëses, transmeton UBT News.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel

“Deklarata e sotme është thelbësore, e thellë, ajo parashtron shumë çështje konkrete të prekshme rreth marrëdhënieve tona. Është vërtetuar nga të gjithë udhëheqësit”, tha Michel.

“Nuk është sekret … ka një diskutim të vazhdueshëm mes 27 vendeve në lidhje me kapacitetin tonë për të marrë anëtarë të rinj. Në këtë temë, është e qartë se duhet të bëjmë përparim” — Charles Michel

Udhëheqësit e BE-së u përpoqën të theksojnë përpjekjet e tyre për të ofruar ndihma ekonomike dhe të tjera për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke pasur parasysh se negociatat e pranimit me Serbinë dhe Malin e Zi po ecin me një ritëm të ngadalshëm, ato me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë filluar dhe Bosnja & Hercegovina dhe Kosova nuk kanë marrë as dritën jeshile për bisedime.

Edhe pse shumica e ndihmave ishin njoftuar më parë, udhëheqësit e BE-së ritheksuan ndikimin e tyre.

Përpjekjet mund të zvogëlojnë tarifat e roaming-ut të celularëve, të përmirësojnë lidhjen e transportit hekurudhor dhe ujor, të përmirësojnë integrimin e tregut, të furnizojnë me vaksina kundër Covid-19 dhe të avancojnë një program investimi të “agjendës së gjelbër” të mbështetur me 9 miliardë euro në grante gjatë shtatë viteve të ardhshme.

Udhëheqësit dhe zyrtarët nga Ballkani Perëndimor u treguan pozitivë duke pasur parasysh pritshmëritë e ulëta, duke thënë se deklarata e udhëheqësve ishte më e fortë se ajo në dy samitet e mëparshëm, atë në Kroaci dhe në Bullgari.

“Unë mendoj se është mirë që ata arritën të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj procesit të zgjerimit – ajo fjalë (zgjerim) nuk u përdorë në Zagreb, nuk u përdorë në Sofje”, tha një zyrtar i lartë i Ballkanit Perëndimor.

“Por për të rikthyer besimin e njerëzve se ky është realiteti, se ata mund të mbështeten në BE kur u thonë, ‘E ardhmja juaj është me ne’ – mendoj se do të kemi nevojë për veprim”.

Zoran Zaev, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, i cili i shtoi emrin “Veriut” për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes me Greqinë dhe për të çuar përpara kërkesën për anëtarësim, e përdori samitin si një mundësi për të goditur Bullgarinë, për vonesën e fillimit të bisedimeve.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

“Sot, patëm një ripohim tjetër të fortë se vetëm një anëtare e BE-së e kundërshton integrimin tonë dhe fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian”, tha Zaev në një deklaratë.

Ai e cilësoi kundërshtimin e Bullgarisë “një fyerje për qytetarët maqedonas” dhe deklaroi se “populli maqedonas, pavarësisht se është miqësor, nuk mund të justifikojë bllokimet”.

Më vonë, pas një takimi me Radev, Presidentin Francez Emmanuel Macron dhe Kancelaren Gjermane Angela Merkel, qeveria e Zaev tha në një deklaratë se: “Gjatë bisedimeve, u shpreh gatishmëri dhe interes i ndërsjellë nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria për të vazhduar dialogun midis dy vendeve me synimin për të arritur një zgjidhje”.

Ndërsa kryeministri i republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti një fjalim ku u shpreh se mirëpret deklaratën, megjithëse me disa rezerva.

“Ne mirëpresim deklaratën e sotme [por] me disa rezerva” Albin Kurti

Me të mbërritur, Kurti kishte thënë: “Në marrëdhëniet tona drejt BE-së, ne jemi kritikë, por pa u hidhëruar dhe pa pasur frikë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

I pyetur më vonë në lidhje me deklaratën e tij, ai shtoi: “Sigurisht, unë jam kritik, sepse mund të kishte qenë më mirë, por unë ende shpresoj se BE-ja do t’i qëndrojë besnike thelbit të saj, që është zgjerimi”.

Në rastin e Kosovës, disa nga rezervat e saj lidhen me konfliktin e vazhdueshëm kufitar me Serbinë, por ndjenja e përgjithshme për të mirëpritur rezultatet e samitit me rezerva, dukej e përhapur.

Në konferencë, Michel iu kthye pyetjes së aftësive ushtarake të BE-së, ku tha se ndërtimi i aftësive të pavarura mbrojtëse të Evropës nuk do të shihej më si përpjekje poteciale për zovgëluar rëndësinë e NATO-s, ose një kërcënim për partneritet me SHBA-në.

“Nuk është një pyetje për ne, as e NATO-s dhe as e mbrojtjes evropiane”, tha Michel. “Ne duam një Bashkim të fortë Evropian përfshirë çështjet e mbrojtjes – një BE e fortë në mbrojtje është në vetvete një mënyrë për të përforcuar aleancat tona dhe fuqizuar aleancat tona”.

Kryeministri italian, Mario Draghi, theksoi se që BE-ja të bëjë përparim në këtë fushë, i duhet një politikë e jashtme më kohezive dhe e unifikuar.

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi

“Dëgjohet shumë për autonominë strategjike në mbrojtje, por nëse nuk ka një politikë të jashtme të përbashkët, është shumë e vështirë të mendosh për një mbrojtje të përbashkët”, tha Draghi.

Udhëheqësi italian tha se ai do të preferonte një qasje “e gjitha-BE”.

“Dikush mund të arrijë atje në dy mënyra: njëri është brenda Bashkimit Evropian, dhe nëse nuk është, mund të arrihet atje në mënyrën tradicionale, me aleanca midis vendeve, disa vendeve të Bashkimit Evropian”, tha ai, duke shtuar se ka ardhur koha për të menduar seriozisht.

Kurse Zaev tha se BE-ja duhet të fillojë të mendojë për veten në mënyrë më të gjerë./UBTNews/

“Maqedonia e Veriut është Evropë,” tha ai në deklaratën e tij. “Ballkani Perëndimor është Evropë!”

ZORAN ZAEV

Exit mobile version