Presidentët e Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë i kanë kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të mbajë “regjimin e Lukashenkos përgjegjës për trafikimin e qenieve njerëzore”, gjatë një konference të përbashkët shtypi në Vilnius të hënën.
Ata kërkuan një shtrëngim të politikës së BE-së për azilin dhe i kërkuan ekzekutivit të sigurojë “mbështetje të përshtatshme financiare të BE-së për ndërtimin e barrierave fizike dhe infrastrukturës”.
“Kjo situatë kërkon zgjidhje dhe veprime të menjëhershme në nivel evropian dhe ndërkombëtar. Kërcënimi në rritje në kufirin me Bjellorusinë nuk është problem vetëm për Lituaninë dhe Poloninë”, tha presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda.
Ai shtoi se Lituania ishte e gatshme të mbështeste Poloninë nëse ajo aktivizon Nenin 4 të NATO-s për të kërkuar konsultime, gjë që çdo shtet anëtar mund ta bëjë nëse beson se “integriteti i tyre territorial, pavarësia politike ose siguria” është në rrezik, përcjell UBT News.
Në Bruksel, ministrat e jashtëm të BE-së ishin takuar dhe kanë rënë dakord që sanksionet e tyre ekzistuese që synojnë Lukashenkon dhe aleatët e tij do të zgjerohen në rast se zbulohet se individë apo kompani që kanë inkurajuar kalimet kufitare.
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i cili ka kërcënuar me hakmarrje për sanksionet e reja, pretendon se njerëzit e tij po përpiqen të riatdhesojnë emigrantët e bllokuar, por shumë prej tyre refuzojnë të shkojnë.
“Po punohet në mënyrë aktive në këtë fushë, për të bindur njerëzit – ju lutemi, kthehuni në shtëpi. Por askush nuk dëshiron të kthehet”, kishte thënë Lukashenko, duke pretenduar se Bjellorusia nuk donte që situata kufitare të përshkallëzohej në një “konflikt”.