Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dorëzuar dorëheqjen e tij tek kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Aliu me anë të një shkrimi në Facebook ka deklaruar se dorëheqja e tij vjen pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryetar të Kuvendit.
“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorezova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim.
“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësitë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, ka shkruar Aliu.
Aliu është parë më i tërhequr në paraqitje publike përgjatë fushatës zgjedhore. Ai s’ka qenë as në listën e kandidatëve për deputetë.