Fëmijët, të shoqëruar nga prindërit, udhëtuan këtë fundjavë në një botë plot ngjyra e aventura, teksa skena e Teatrit të Kukullave u shndërrua në një xhungël magjike.
Kukulla anatomike në përmasat e kafshëve të gjalla, të sjella me mjeshtëri nga aktorët, i futën të vegjlit në botën e përrallës “Libri i Xhunglës”, ku për 50 minuta u bënë pjesë e aventurës së Moglit dhe miqve të tij, Balusë dhe Bagerës.
Shfaqja, e konceptuar nga regjisorja Ina Morinaj, solli interpretim të ri të klasikës së njohur, duke bashkuar kukullat me lojën e aktorëve në mënyrë të gjallë e plot energji.
“Reagimet e publikut ishin fantastike, kishte shumë elemente të veçanta,” tha aktori Ilia Kaçi, ndërsa Erdit Asllanaj e cilësoi shfaqjen “një kryevepër që u prit me shumë entuziazëm”.
Sipas Aleksandër Gramit, “qëllimi ishte ta fusnim publikun brenda xhunglës – dhe besoj se ja dolëm”.
Edhe Juxhin Plovishti u shpreh i lumtur për pritjen e ngrohtë nga publiku: “Fëmijët u kënaqën dhe kjo është shpërblimi më i madh”.
Aventura e Moglit në xhungël do të vijojë edhe fundjavën e ardhshme në Teatrin e Kukullave, për të gjithë ata që duan të përjetojnë magjinë e përrallës klasike. /A.Z/UBT News/
