UBT News

Librat: Festimi i Fuqisë së Librit në Ditën Botërore

Dita Botërore e Librit dhe të Drejtave të Autorit është një festë e rëndësishme për të ndarë gëzimin dhe vlerën e leximit dhe librave. Në çdo anë të globit, sot, më 23 prill, festimet shtrihen për të nderuar fuqinë dhe ndikimin e librave dhe lidhjen e pashmangshme midis të kaluarës dhe të ardhmes, një urë që bashkon brezat dhe kulturat.

Në kështjellën e fjalëve, Sibel Halimi, Drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, përmes rrjetit të saj social në Facebook, ka njoftuar se në Ditën e Librit,  Ambasada e Malit të Zi, Drejtoria e Kulturës së Komunës së Prishtinës dhe Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” organizon shfaqjen e filmit dokumentar “Në teh të erës” në nderim të poetit, studiuesit dhe profesorit Basri Çapriqi. Filmi do të shfaqet në Kino Armata në Prishtinë, të martën, më 23 prill të vitit 2024 në orën shtatë të mbrëmjes.

Në Ditën Botërore të Librit, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajam Begaj, ndan një moment të veçantë me librashitësin, Ndriçim Ziu, i cili me vite ka shërbyer si “biblotekari i rrugës”. Në një postim të ndarë në rrjetin social në Facebook, presidenti Begaj shkruan për këtë takim: “Me bukinistin e qytetit të Elbasanit, që ka lexuar çdo libër që gjendet në librarinë e tij shëtitëse. Vendosa të ndaj këtë postim sot për të nderuar fisnikërinë e të lexuarit”.

Ndërsa bëhet e ditur nëpërmjet mediave shqiptare, Ndriçim Ziu, me një stivë libra përpara tij, jo vetëm që i shet ato, por gjithashtu i lexon ato me përkushtim, duke u bërë një katalizator i një ndërthurrjeje të bukur midis botës reale dhe asaj të librave.

https://www.facebook.com/reel/954793762613738

Në këtë ditë të veçantë, UNESCO dhe organizatat ndërkombëtare përfaqësuese të tre sektorëve kryesorë të industrisë së librit – botuesit, shitësit e librave dhe bibliotekat, vendosin një Kryeqytet Botëror të Librit për të mbajtur flakën e promovimit të kulturës së librave. Me aktivitete të ndryshme dhe inovative, këto organizata japin një impakt të veçantë festimeve të kësaj dite, nxitur leximin dhe kulturën letrare në mbarë botën, shkruhet në faqen kryesore të UNESCO.

23 Prilli është një datë e ngjarjeve të rëndësishme për letërsinë botërore. Është dita kur ndërruan jetë një sërë autorësh të dalluar, si William Shakespeare, Miguel de Cervantes dhe Inca Garcilaso de la Vega. Zgjedhja e kësaj date për të qenë Dita Botërore e Librit ishte një nderim i qëlluar për të gjithë autorët dhe librat në nivel global. Në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, e mbajtur në Paris në 1995, vendosur që të bëhet një ditë për të nderuar librat dhe autorët, dhe për të inkurajuar qasjen në dije për të gjithë.

Mesazhi i Audrey Azoulay, Drejtoreshë e Përgjithshme e UNESCO-s, për Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit, 23 Prill 2024, është një shprehje e thellësisë dhe rëndësisë së librit në shoqëri. Ajo thekson rolin kryesor që librat kanë në edukim, informim, argëtim, dhe për të kuptuar botën dhe diversitetin gjuhësor.

Në mesazhin e saj, në formë të shkruar për faqen zyrtare të UNESCO, Azoulay gjithashtu bën të ditur angazhimin e UNESCO-s në mbështetjen e botimeve në gjuhë indigjene dhe rajonale, duke përfshirë projekte si “What Makes as Human” dhe serinë “Bintou & Issa”. Ajo gjithashtu thekson rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në lexim dhe edukimin mbi trashëgiminë kulturore të tyre. Azoulay fton të gjithë të angazhohen në mbështetjen e leximit dhe kulturës në Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit, duke e bërë të qartë se pas çdo libri ka një botë të pasur të dijeve dhe aftësive, dhe se mbështetja e autorëve dhe të gjithë atyre që janë të përfshirë në industrinë e librit është e rëndësishme.

UNESCO mbështet sektorin e botimeve dhe fuqinë e leximit përmes rrjetit të saj të Kryeqyteteve Botërore të Librit, i krijuar për të përforcuar edukimin e shkrim-leximit dhe për të promovuar mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe lirinë e shprehjes.

”Strasburgu, Francë, është caktuar Kryeqyteti Botëror i Librit i vitit 2024. Objektivi është që librat të bëhen mjeti i preferuar si për komunikimin e shqetësimeve mjedisore të kohës sonë, ashtu edhe për ndarjen e njohurive shkencore shoqëruese. Së fundi, ne jemi të përkushtuar të mbështesim shpërblimin e drejtë të të gjithë atyre që janë të përfshirë në industrinë e librit, duke filluar nga autorët. Në fund të fundit, pas çdo libri ka një zinxhir të tërë njohurish dhe aftësish që kanë çuar në krijimin e tij”, shkruan  drejtoresha e UNESCO duke ftuar të festoni leximin dhe kulturën, por edhe të angazhoheni për mbështetjen e tyre/UBTNews/

Përmbledhi: © Dionesa Ebibi

Exit mobile version