UBT News

Lewis Hamilton viziton kufirin e Egjiptit me Gazën për të parë nga afër dërgimin e ndihmave

Kampioni i shtatëfishtë i Formula 1, Lewis Hamilton, ka vizituar qytetin verior të Egjiptit, El Arish, i cili kufizohet me Gazën, për të parë nga afër përpjekjet që po bëhen për grumbullimin e ndihmave humanitare të destinuara për Rripin e Gazës.

Guvernatori i Sinait Verior, Khaled Megawer, priti pilotin britanik dhe i prezantoi atij magazinat e ndihmave të Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane. Në pamjet e publikuara nga zyra e guvernatorit, Hamilton shihet duke u përshëndetur me punonjësit e ndihmave dhe duke u interesuar për frekuencën e hyrjes së ndihmave në Gazë përmes pikës kufitare të Rafahut.

Vizita e pilotit 41-vjeçar vjen në një kohë kur Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për pasojat shkatërruese që shkaktojnë vonesat e përsëritura në dërgimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore për palestinezët. Hamilton njihet gjerësisht për angazhimin e tij në kauza humanitare dhe bamirëse, përfshirë themelimin e fondacionit “Mission 44” dhe donacionet e shumta financiare për ndihmë komuniteteve në nevojë. /Al Jaazera/

Exit mobile version