Sulmuesi polak, Robert Lewandowski, ka deklaruar se kishte qenë i gatshëm t’i bashkohej Manchester Unitedit në vitin 2012.
Ai ka thënë se kishte diskutuar me trajnerin e Unitedit, Sir Alex Fergusonin për një kalim të mundshëm mirëpo transferimi nuk ishte arritur.
“Pas viti të dytë në Borussia Dortmund, pata një bisedë me Sir Alex Fergusonin. Unë isha shumë i interesuar, mund të them që isha gati. Por Dortmundi nuk donte të më linte të shkoja. Kjo nuk më shqetësoi shumë sepse gjërat po shkonin mirë edhe në ekipin tim”, ka deklaruar Lewandowski për France Football, raporton Goal.com
Sulmuesi i skuadrës së Bayern Munichit është aktualisht lojtari më në formë në Bundesligën gjermane. Në 307 paraqitje për Bayernin, Lewandowski ka shënuar 266 gola, ndërsa ka marrë çmimin si Lojtari më i mirë i FIFA për vitin 2020.