UBT News

Lëvizjet me çmimet e derivateve: Kusari-Lila paralajmëron rikthimin e çmimit tavan nëse nafta nuk pocheapërohet në Kosovë

Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar se Qeveria do të rikthejë çmimin tavan për naftën nëse rënia e çmimeve të derivateve në tregun botëror nuk reflektohet në tregun kosovar brenda pak ditëve.

Duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare të deputetes së AAK-së, Albana Bytyqi, e cila ngriti shqetësimin për ndikimin e shtrenjtimit të naftës në çmimet e produkteve të tjera, ministrja Kusari-Lila sqaroi se dy ditët e fundit ka filluar një rënie e çmimeve në tregun ndërkombëtar.

“Arsyeja e çmimit 1.90 ose 1.89, që është sot, e evidentuar, ka të bëjë me rritjen e çmimit në tregun botëror. Megjithatë, pozitive në këto dy ditët e fundit është një fillim i rënies dhe që nga nesër, nëse nuk ka rënie apo reflektim në çmimin në tregun në Kosovë, atëherë ne e rikthejmë çmimin tavan, i cili tashmë kemi edhe bazën ligjore për ta bërë atë”, deklaroi Kusari-Lila.

Ministrja shpjegoi se vendimi për heqjen e çmimit tavan ishte marrë më 8 shtator pas përfundimit të afatit 180-ditor, ndërsa institucionet kanë vazhduar monitorimin e marzhës tregtare në baza ditore.

“Çka kemi bërë? Kemi shqyrtuar gjendjen e inspektimeve, por gjithashtu edhe kemi pasur skadim të afatit bazuar në këtë udhëzim administrativ… Megjithatë, pas heqjes së këtij vendimi, që nga data 8 shtator deri më sot, më 5 nëntor, në baza ditore kemi bërë dhe bëjmë, vazhdojmë të bëjmë monitorimin e çmimit dhe përcaktimin e marzhës sipas çmimeve të tregut… Të dhënat zyrtare të importit tregojnë se marzha që nga heqja e çmimit tavan nuk e ka kaluar 12 centin, i cili është i përcaktuar me udhëzimin administrativ. Ka qenë 11.5 cent”, shtoi ajo.

Ajo po ashtu nënvizoi se Kosova mbetet mjaft e ekspozuar ndaj luhatjeve globale për shkak të shkallës së lartë të importit, por siguroi se ekzekutivi nuk do të qëndrojë pasiv.

“Kosova, siç e dini, nuk është e izoluar dhe nuk ka qenë e izoluar nga këto zhvillime. Në të kundërt, është shumë e ekspozuar për shkak të nivelit të madh të importit. Megjithatë, qeveria nuk ka qëndruar dhe nuk do të qëndrojë pasive përballë këtij çrregullimi të tregut. Ne ndërhyjmë aty ku i kemi kushtet ligjore”, përfundoi Kusari-Lila, duke cituar udhëzimet administrative përkatëse që lehtësojnë ndërhyrjen e shtetit. /E.A/

 

Exit mobile version