Një letër nga Franz Kafka, në të cilën ai i thotë një miku që nuk mund të shkruajë më, ofrohet në ankand 100 vjet pas vdekjes së tij. Kjo letër pritet të shitet deri në 114 mijë dollarë.
Kafka, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, i njohur për vepra të tilla si “Gjyqi” dhe
“Metamorfoza”, i shkroi letrën poetit dhe botuesit austriak Albert Ehrenstein, në atë që besohet të jetë një përgjigje për një kërkesë për të kontribuar në revista letrare “Die Gefährten”.
Në letrën e shkruar gjermanisht dhe të nënshkruar vetëm me “Kafka”, romancieri i lindur në Pragë thoshte se nuk ka shkruar asgjë për tri vjet.
Besohet se është shkruar rreth periudhës prill-qershor 1920 nga një sanatorium në Merano në Italinë veriore, sipas shtëpisë së ankandeve Sotheby’s.
Kafka u diagnostikua me tuberkuloz në vitin 1917, gjë që ai nuk e diskuton në letër./UBTNews/