Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se sot në fshatin Vranisht të Dragashit janë mbyllur katër komuna paralele që kanë operuar ilegalisht vite me radhë.
Në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi ka shkruar se në këtë fshat kundërligjshëm kanë vepruar dhe lëshuar dokumente për komunën e Prizrenit, të Suharekës, të Rahovecit dhe të Dragashit.
“Sot në fshatin Vranisht të Dragashit mbyllëm 4 komuna paralele që kanë operuar ilegalisht për gjithë këto vite. Në këtë fshat kundërligjshëm kanë vepruar dhe lëshuar dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit. Nga sot ajo më nuk operon. Republika e Kosovës është shtet unitar dhe si e tillë nuk do të lejojë asnjë paralelizëm kundërkushtetues”, ka shkruar Krasniqi.