Gjithçka në mënyrën e duhur dhe me optimizëm. Është klima që shoqëron tratativën për rinovimet e kontratave të Neymar, për të cilën mungon vetëm firma e konfirmimit, por mbi të gjitha atë të Mbappe, të cilit i skadon marrëveshja në 2022-in. PSG po punon prej kohësh në këtë drejtim, por tanimë gjithcka ka hyrë në fazën vendimtare. E shpjegon drejtori sportiv Leonardo që bëri të ditur edhe synimin e klubit për të vazhduar me Di Maria-n dhe Bernat.
Mes Neymar dhe Mbappe, është francezi ai që po kërkon të fitojë kohë, kampioni i botës dëshiron të bëjë gjithçka me qetësi edhe pse pas 3 golëshit ndaj Barcelonës në Champions theksoi se ndihet mirë te PSG. Sinjale pozitive në një mision të rëndësishëm për klubin parizien që kërkon të thyejë konkurencën e Realit të Madridit. I intervistuar nga mediat franceze Leonardo shfaq optimizëm.
“Jemi duke folur prej kohësh për kontratën e Mbappe. Fillimisht për të qenë të qartë në lidhje me pozicionin tonë dhe atë se çfarë duam. Tani besoj se jemi duke arritur në një pikë ku duhet marrë një pozicion dhe një vendim, por jemi duke zhvilluar një dialog të mirë”, theksoi drejtori sportiv i Paris Saint-Germain.
Drejtori sportiv shtoi se e njëjta gjë vlen edhe për Neymar, duke lënë të kuptohet se me brazilianin akordi është vetëm një hap larg, ndërsa bëri të ditur dhe qëllimin për të mos hequr dorë nga Angel Di Maria, kontrata e të cilit skadon në fund të sezonit, ashtu si dhe për Juan Bernat. Argjentinasi 33-vjeçar shpreson ta mbyllë karrierën e tij europiane në Paris.
“Ashtu si me Neymar dhe Mbappe, jemi duke hyrë në dialog mjaft pozitiv edhe me Di Maria e Bernat. Janë katër dosje që po trajtojmë në të njëjtën kohë, dhe ideja është që ti mbyllim rinovimet sa më shpejt të jetë e mundur, pasi ne si klub duam ti mbajmë të gjithë”, tha Leonardo.
Ndërkohë te PSG mbetet ende pezull pozicioni i klubit në lidhje me të ardhmen e Julian Draxler, kontrata e të cilit skadon në qershor me Leonardo që u shpreh.
“Është një lojtar i rëndësishëm dhe situata e tij do të qartësohet”, përfundoi drejtori sportiv i skuadrës franceze, Leonardo.