Fillon një “jetë” e re për Leonardo Bonuccin, pasi ish-mbrojtësi italian është gati të rikthehet në kombëtaren e tij, këtë herë në një rol krejtësisht të ri. Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur verën e kaluar, Bonucci do t’i bashkohet stafit të Kombëtares U-20 të Italisë si bashkëpunëtor i trajnerit Bernardo Corradi.
Historia e tij me axurrët vazhdon, duke pasur parasysh se Bonucci debutoi me kombëtaren e të rriturve më 3 mars 2010 në moshën 22-vjeçare. Gjatë karrierës së tij, ai ka luajtur 121 ndeshje për Italinë dhe ka shënuar 8 gola, me aventurën më të paharrueshme që u kurorëzua me triumfin në Euro 2020 në “Wembley” kundër Anglisë.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, dëshira e Bonuccit për t’u bërë trajner po merr gjithnjë e më shumë formë. Ai pritet të sjellë përvojën e tij të vyer për talentet e rinj të Kombëtares U-20 gjatë Botërorit që do të zhvillohet në Kili, duke u angazhuar për të ndihmuar skuadrën të “hakmerret” për humbjen e fundit ndaj Uruguait në 2023.
Ky hap i ri tregon angazhimin e tij për të kontribuar në zhvillimin e futbollit italian, duke ndihmuar brezat e ardhshëm të lojtarëve të arrijnë suksese në arenën ndërkombëtare./UBTNews/