UBT News

Leon Avdullahu zgjedh Kosovën, Shaqiri: Kishim folur për këtë

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka fituar një përforcim të rëndësishëm me afrimin e Leon Avdullahut, i cili ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Lajmi është konfirmuar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), dhe ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale.

Një nga reagimet e para erdhi nga Xherdan Shaqiri, ish-lojtari i përfaqësueses së Zvicrës, i cili e pëlqeu publikimin e FFK-së dhe të presidentit Agim Ademi në rrjetet sociale, duke treguar mbështetje për këtë hap të Avdullahut.

Në një prononcim për gazetën zvicerane Blick, Shaqiri u shpreh se vendimi i Avdullahut ishte temë që kishin diskutuar më herët, kur të dy ishin pjesë e klubit FC Basel dhe fituan së bashku dy trofe.

“Kemi folur shpesh për këtë”, tha Shaqiri, duke theksuar se ai nuk kishte ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në vendimin e 20-vjeçarit. “Mendoj se ai ka një shans më të mirë për të luajtur për Kosovën sesa për Zvicrën. Me siguri i janë paraqitur perspektiva më të mira sportive – përndryshe nuk do ta kishte bërë këtë hap”, shtoi ai.

Avdullahu, i lindur dhe i rritur në Zvicër, konsiderohet një lojtar me potencial të lartë dhe përfshirja e tij në radhët e Kosovës shihet si një zhvillim pozitiv për të ardhmen e ekipit kombëtar.

Exit mobile version