UBT News

Leon Avdullahu zgjedh Kosovën, reagon Federata Zvicerane e Futbollit

Mesfushori 21-vjeçar, Leon Avdullahu, ka marrë vendimin për të përfaqësuar ekipin kombëtar të Kosovës, duke lënë pas vetes mundësinë për të luajtur me Zvicrën. Edhe pse i rritur në Zvicër dhe pjesë e ekipeve zinxhir të të rinjve në këtë shtet, Avdullahu ka vendosur të ndjekë një rrugë tjetër në karrierën e tij ndërkombëtare.

Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) ka reaguar pas konfirmimit të vendimit të futbollistit. Drejtori i ekipeve kombëtare, Pierluigi Tami, ka shprehur zhgënjimin e institucionit që përfaqëson.

“Leoni na informoi për vendimin e tij. Jemi të zhgënjyer që ai tani dëshiron të ndjekë një rrugë tjetër”, tha Tami.

Ai theksoi se Federata është e vetëdijshme për situatat e tilla dhe ka pasur përvoja të ngjashme edhe më parë.

“Por, gjithashtu e bëj të qartë se ne duam vetëm ata lojtarë në ekipet tona kombëtare që identifikohen 100 për qind me vendin dhe ekipin tonë kombëtar”, shtoi ai.

Avdullahu pritet t’i bashkohet ekipit kombëtar të Kosovës në muajin shtator, për dy ndeshjet kualifikuese kundër Zvicrës dhe Suedisë.

Exit mobile version