UBT News

Leon Avdullahu zgjedh Kombëtaren e Kosovës, refuzon Zvicrën

Mesfushori i talentuar Leon Avdullahu ka marrë një vendim të rëndësishëm në karrierën e tij, duke zgjedhur të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës dhe duke refuzuar mundësinë për të luajtur për Zvicrën.

Lajmin e bëri të ditur presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili në një postim në rrjetet sociale theksoi se Avdullahu ka zgjedhur me zemër të mbrojë ngjyrat e Kosovës.

“Pritjes i erdhi fundi, Leoni është i Kosovës. Ai më njoftoi për vendimin e madh pas takimit tonë të fundit, ku diskutuan të gjitha detajet. Ky është një lajm i gëzuar për futbollin kosovar, pasi dëshmon se identiteti dhe prejardhja janë të pathyeshme”, shkroi Ademi.

Ky vendim forcon mesfushën e Kosovës, duke shtuar thellësi dhe kualitet në skuadër. Avdullahu pritet të sjellë energji, vizion dhe kreativitet në përballjet e ardhshme kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026.

Ai ka filluar karrierën e tij te Baseli, ndërsa këtë vit u transferua për 8 milionë euro te Hoffenheim në Bundesligë. Avdullahu ka debutuar me paraqitje të spikatur ndaj Bayer Leverkusen, ndërsa vlera e tij në Transfermarkt ka arritur në 10 milionë euro.

Me këtë përforcim, trajneri Franco Foda do të ketë një alternativë të re dhe të fortë në mesfushën e Kosovës, e cila në grupin eliminator për Botërorin do të ndeshet me Suedinë, Zvicrën dhe Slloveninë.

Exit mobile version